http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Elbasani po e humbet përditë identitetin e tij historik dhe kulturor. Disa prej godinave të rëndësishme identifikuese, si dhe banesat e figurave kryesore të historisë së këtij qyteti tashmë nuk ekzistojnë më, ose kanë ndryshuar tërësisht destinacion, duke u përdorur nga privatët për qëllime të ndryshme, deri edhe si lokale ku shiten qofte apo kryhen ceremoni mortore. Të zhgënjyer me pamjen e qytetit sot, janë intelektualë të sotëm të këtij qyteti, të cilët theksojnë se Elbasanit nuk i ka mbetur thuajse asnjë gjurmë nga identiteti i vet. Kjo është shtëpia ku dikur ka jetuar rilindësi i shquar Kostandin Kristoforidhi. Kjo banesë është thuajse e rrënuar dhe në të jeton një piktor, që ka marrë përsipër ta ruajë atë nga keqbërësit. Vendin se ku është kjo shtëpi e dinë vetëm të moshuarit në këtë qytet, ndërsa të rinjtë apo turistët vendas apo të huaj nuk kanë asnjë informacion se ku ndodhet kjo godinë, thuajse e shkatërruar. Normalja e Elbasanit, e njohur për historinë e arsimit edhe në rang kombëtar, e ngritur 104 vjet më parë, tashmë është nën administrimin e një fondacioni të huaj dhe askush dhe asgjë nuk të orienton për aty nëse dikush do të dijë se ku ka qenë institucioni që ka përgatitur mësuesit e parë të gjuhës shqipe. Po ashtu, shkolla e vajzave, ose siç njihej ndryshe, Rruzhide, është kthyer tashmë në një restorant. Një destinacion të tillë, ka edhe ish-shtëpia e Aqif Pashës, që tashmë shërben si lokal kryhen ceremoni te përmotshme njerëzit që kthehen nga varrezat. Ndërsa shtëpia e Qemal Stafës, dikur një lokal ku shiteshin qofte, sot është braktisur thuajse përfundimisht.