http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Kryeqyteti është përfshirë në orët e para të mëngjesit të së hënës nga një kaos në transportin publik. Shkak u bë pezullimi i shërbimit nga operatorët e linjave urbane. Në fakt ishte Sindikata e punonjësve të Transportit publik, e cila bllokoi autobusët, duke protestuar për pagat e pa marra prej katër muajsh. Por ky është problemi më i vogël me të cilin po përballet shoqata e transportit publik. Kreu i saj Ervin Shijaku shpjegon se firmat private që kanë autobusë janë në krizë financiare, pasi me çmimin aktual prej 30 lekësh të biletës, ato nuk arrijnë të mbulojnë të gjitha kostot e shërbimit. Zgjidhja e këtij problemi është kthyer në një lojë ping-pongu mes institucioneve. Shoqata e Transportit ka kryer takime të vazhdueshme me Bashkinë e Tiranës dhe ministrinë e Financave për të negociuar për rritjen e çmimit të biletës deri në 70 lekë, por deri tani nuk është dhënë asnjë variant përfundimtar. Kreu i Shoqatës thotë se deri tani nuk kanë marrë asnjë subvencion nga shteti për shërbimin e ofruar kategorive të veçanta të udhëtarëve siç janë studentët, veteranët apo njerëzit me aftësi të kufizuar. Institucionet shtetërore hezitojnë të japin sqarime, por në këto shkresa te siguruara nga Vizion Plus vërehet se Bashkia dhe ministria e Financave janë dakord për një rritje të çmimit të biletës. Megjithatë, deri më sot, ato nuk kanë arritur në një vendim final. Rritja e çmimit në 70 lekë do te rëndonte ndjeshëm qytetarët, pasi vetëm me një bilete në ditë, shuma që ata do të shpenzonin do të ishte 21 mijë lekë në muaj.