http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, ka prezantuar projekt-buxhetin e vitit 2014, i cili për herë të pare parashikon një borxh publik prej 74 .8 % të prodhimit të brendshëm bruto. Shkak për këtë nivel të lartë të borxhit është pagesa e detyrimeve të prapambetura që do të kryeje qeveria ndaj biznesit. Duke raportuar në konferencën e kryetarëve, ministri Cani tha se ekonomisë do t'i rikthehet optimizmi në pjesën e dytë të vitit. Për realizmin e pagesave të prapambetura, qeveria do të marrë hua tek Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Ndërsa përsa i përket ndryshimeve fiskale, risia e kësaj pakete ligjesh është subvencionimi që do t'i bëjë qeveria disa produkteve bazë, për shtresat në nevojë. Por prezantimi i projekt-buxhetit ne Konferencën e Kryetarëve është shoqëruar me debat nga opozita, e cila akuzoi qeverinë se ka shkelur çdo afat për miratimin e ligjit më të rëndësishëm financiar në vend. Deri në fund të muajit dhjetor, komisionet Parlamentare do të kenë në qendër të diskutimeve projektbuxhetin dhe paketën fiskale për vitin 2014.