Kallëzim Burgajt dhe 9 ish-zyrtarëve për shpërdorim detyre - News, Lajme - Vizion Plus

2015-11-24 4

http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Pas ish-ministrit të Mbrojtjes Arben Imami edhe ish -drejtori i Përgjithshëm i Policisë Hysni Burgaj, do të hetohet për "shpërdorim detyre". Lajmi behet i ditur nga burime të ministrisë së Brendshme, të cilat kanë pohuar se kanë depozituar në organin e akuzës një kallëzim penal,  ndaj ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, nëndrejtorit të Përgjithshëm Rasim Boriçi dhe tetë anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në këtë drejtori. Akuza që rendon mbi dy ish-drejtuesit e policisë dhe tetë zyrtaret e tjerë është ajo e shpërdorimit të detyrës, si edhe shkeljes së barazisë në tenderë apo ankande publike. Shkeljet, sipas materialit drejtuar prokurorisë, kanë të bëjnë me procedurën e prokurimit me objekt spotet publicitare televizive për informimin e qytetareve në kuadër të liberalizimit të vizave. Bëhet fjalë për pesë tenderë në shkelje të ligjeve të prokurimit me një vlerë prej 318 milionë lekësh. Kallëzimi është referuar pas një hetimi të kryer nga shërbimi i kontrollit të brendshëm në ministri. Sipas hetimit, ka rezultuar se në tre tenderë, Komisioni i Vlerësimit ka shpallur operatorin fitues dy, tre dhe një ditë përpara hapjes së ofertave, duke paracaktuar fituesin në të gjitha rastet. Është gjithnjë e njëjta kompani, e cila ka marrë të gjithë shumën në të gjitha procedurat e kryera. Veprimet e autoritetit kontraktor u kryen nga zv/drejtori i policisë, Rasim Boriçi, në kundërshtim me vendimet e nxjerra nga Këshilli i Ministrave, ku veprimet duhet të kryhen nga titullari i institucionit. Në kundërshtim me ligjin nuk është bërë njoftim në faqen zyrtare të internetit të drejtorisë së përgjithshme të policisë dhe në komision nuk ka patur specialistë të fushave. Ndërkohë, janë përcaktuar që në procedurë prokurimi, televizionet që do transmetonin spotet publicitare.