http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Vendimi i ashpër i FSHF për ekipin e Kukësit, për incidentet në fund të takimit javën e kaluar, nuk ka patur asnjë ndikim për të përmirësuar situatën. Këtë herë, ishte fusha e Korçës që u kthye në fushë-beteje mes tifozerisë së ekipit udhëtues së Tiranës dhe forcave të Policisë. Ky reagim i dhunshëm ndodhi në fund të takimit mes Skënderbeut dhe Tiranës, që u mbyll në shifrat 1 me 0. Dhuna zbriti më pas rrugët afër stadiumit dhe policia me vështirësi ka përcjellë autobusët me tifozë të Tiranës jashtë qytetit. Ndërsa policia shoqëroi tre tifozë te Tiranës. Skënderbeu thelloi kështu diferencën me ndjekësit në krye të tabelës pas javës së 15 të Superligës në futboll, ndërsa Tirana u zhyt edhe më tej në krizë dhe eklipsoi shanset e mbijetesës në këtë kategori. Këmbëngulja e kryeqytetasve për të dalë me një rezultat pozitiv në fushën e Korçës, ishte mjaft e dukshme në pjesën e pare. Por në pjesën e dytë, miqtë kanë gabuar në minutën e 58-të, kur edhe kanë pësuar një gol nga Lilaj, që nuk u përmbys deri në fund të takimit.