http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Buxheti i shtetit për vitin 2014 është 459.5 miliardë lekë, më i madhi në historinë e financave shqiptare por dhe me borxhin më të madh. Sipas draftit të buxhetit që ka siguruar Vizion Plus, rezulton se rreth një e katërta e tij do të financohet me borxh. Kështu të ardhura nga tatimet dhe doganat qeveria shpreson që të vjelë 360 miliardë lekë, ndërsa 100 miliardë të tjera do të vijnë në formën e borxhit. Lajmi i mirë për kompanitë private është se qeveria ka parashikuar të shlyejë të gjitha detyrimet që ka ndaj tyre. kështu si zë i veçantë në buxhet, 39 miliardë lekë do të shkojnë për mbylljen e këtyre pagesave si ndaj palëve që kanë kryer shërbime publike, ashtu edhe për bizneset që nuk kanë marrë akoma rimbursimin e TVSH-së. nga tabela e buxhetit del se qeveria shifrën më të madhe që ka për të shlyer janë borxhet që administrata tatimore ka ndaj ndërmarrjeve private, shifër më e lartë kjo dhe se investimet në infrastrukturë. Këtë vit buxheti i shtetit do të jetë më i shtrënguar se zakonisht për investime publike, të cilat nuk do të shkojnë më për rrugë dhe ndërtime shkollash, por kryesisht do të përqendrohen në investime në rrjetin energjetik dhe ujësjellës kanalizime. Por ndryshe nga qeveria e parë, kabineti Rama ka vendosur një fond më të lartë për shpenzime operative të cilat kryesisht shkojnë për mirëmbajtje të administratës. Kështu nëse më parë shpenzime të këtij lloji nuk shkonin më shumë se 32 miliardë lekë, për vitin e ardhshëm ato do të jenë rreth 35 miliardë. Me sistemin e ri te taksave, ne arkën e shtetit do te mungojnë 2 miliardë leke, pas premtimit se pagat e ulëta do te paguajnë me pak detyrime. Por këto para fitohen serish madje me një miliard me shume me rritjen e tatimit ndaj biznesit te madh dhe te mesëm. Ministria që do të ketë buxhetin më të madh për vitin e ardhshëm është ajo e Punës dhe Mirëqenies Sociale, e ndjekur më pas nga Arsimi dhe Shëndetësia. Si ministria e Punës ashtu edhe ajo e Arsimit, këto fonde i kanë për paga dhe pjesën e sigurimeve shoqërore, por ndryshe nga tradita e mëparshme, këtë vit në buxhetin e shtetit parashikohen më tepër para për shëndetësinë. Rreth 17 miliardë lekë do të shkojnë për përmirësimin e dhënies së ndihmës shëndetësore. Ndërkohë që një buxhet më të madh se një vit më parë ka dhe sektori i bujqësisë. E veçanta është se nëse më parë pjesën më të mirë të parave dikur e merrte ministria e Transporteve, për këtë vit kjo ministri do të ketë një fond modest prej 2.5 miliardë lekësh, ndryshe nga një vit më parë ku morri 50 miliardë.