Kukës, hidrocentrali mbyll mullirin e fshatit - News, Lajme - Vizion Plus

2015-11-24 6

http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Banorëve të fshatit Cernalevë në Kukës, këto ditë të ftohta dimri u është shtuar dhe një vështirësi më shumë në përballimin e jetesës së përditshme. Mulliri i fshatit është ndalur sërish për të disatën herë brenda dy viteve të fundit, pasi uji që e vë atë në punë është devijuar dhe shkon në turbinat e hidrocentralit privat, që është ndërtuar poshtë fshatit. Banorët thonë se kjo është e padrejtë, pasi atyre po u merret një pasuri e përbashkët që prej shekujsh u ka shërbyer njerëzve që kanë jetuar në këtë zonë. Ata kërkojnë ndërhyrjen e qeverisë për të mos lejuar këtë padrejtësi, në të kundërt paralajmërojnë përshkallëzimin e irritimit të tyre, duke shkatërruar hidrocentralin lokal. Hidrocentrali i ndërtuar në këtë zonë dy vjet më parë, ka një kapacitet prej 1 megavat. Në kohën e ndërtimit të tij, banorët e këtij fshati u përleshën me investitorët dhe policinë në përpjekje për të mos e lejuar ngritjen e kësaj vepre, që ka prishur edhe prona të fshatit Cernalevë. Ky fshat është ndër më të izoluarit jo vetëm në Kukës, por në gjithë vendin, ndërsa terreni atje ofron shumë pak mundësi jetese. Përkujdesja e shtetit dhe investimet kanë munguar dhe vetëm ata që  nuk kanë mundësi për t'u shpërngulur ende jetojnë në këtë fshat.

Free Traffic Exchange