http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Ministrja e Mbrojtjes ka ngritur grupe të posaçme auditimi për aktivitetin e këtij institucioni, gjatë drejtimit të tij nga ish-ministri Arben Imami. Hetimi administrativ është shtrirë në katër drejtime. Burime pranë kësaj ministrie thanë për Vizion Plus, se po kontrollohet gjithë procedura e emërimeve, transferimeve apo gradimeve në radhët e forcave ushtarake. Akuzat për afera në radhët e shtabit, gjatë periudhës që ministria drejtohej nga Imami kanë qenë të shpeshta. Në kabllogramet e ambasadës amerikane është përmendur edhe fakti që paguheshin para nën dorë, për të favorizuar ushtarakë që shkonin në misione paqeruajtëse. Një tjetër skandal, i denoncuar nga opozita e kohës dhe media, lidhet me dyshimet për përgjimet e socialistëve dhe diplomatëve të huaj nga shërbimi inteligjent i kësaj ministrie. Çështja e shitjes së pronave po auditohet nga një grup i posaçëm, i ngritur nga ministrja e mbrojtjes Kodheli. Aferat nisin me nxjerrjen në shitje të mbi tre mijë metrave katrorë tokë në pronësi të ministrisë së Mbrojtjes, në zonën e Ksamilit, me çmim qesharak, por edhe qindra hektarë te tjera në zona turistike. Edhe shitja e armëve, madje deri në shtete nën embargo, është një çështje që po investigohet nga auditues të ministrisë. Këto burime i thanë Vizion Plus se pas verifikimit administrativ, do të depozitojnë në organin e akuzës çdo dyshim të dokumentuar për të thelluar hetimin. Dosja e parë voluminoze për ish-ministrin Imami dhe katër vartës së tij tashmë është në duart e Prokurorisë. Bëhet fjalë për abuzime që shkojnë deri në 1 milion dollarë, për shpërndarjen e reklamave në mënyrë preferenciale, duke shpërdoruar detyrën dhe prishur barazinë në tenderë. Një ditë më parë, ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli në një intervistë për "Dojce welle" tha, se korrupsioni që kishte përfshirë nivelet më të larta të ministrisë së mbrojtjes kishte krijuar shqetësim deri edhe në NATO.