http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Parlamenti Evropian i rekomandon Këshillit Evropian, të ndezë dritën e gjelbër për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë. Gjatë punimeve të komitetit për punët e jashtme të parlamentit, eurodeputetët kanë miratuar me 50 vota pro, dhe 1 abstenim, rezolutën për Shqipërinë. Në dokumentin e hartuar nga raportuesi Nikola Vuljanic, PE i bën thirrje vendeve anëtare që të mbështesin aspiratën e vendit tonë në BE. Por nga ana tjetër, në këtë rezolutë nënvizohet nevoja e vijimit të reformave nga Tirana zyrtare, veçanërisht në reformën në sistemin gjyqësor, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuara. "Rezoluta bën thirrje për të tjera masa në forcimin e pavarësisë dhe eficencës në sistemin gjyqësor, përfshi këtu dhe gjykatën e lartë. Parlamenti evropian mirëpret angazhimin për të luftuar korrupsionin në të gjitha nivelet dhe nënvizon nevojën për më shumë vullnet politik dhe krijimin e kapaciteteve institucionale koordinuese. I bën thirrje autoriteteve të bëjë të qarta kompetencat e departamentit të kontrollit të brendshëm dhe antikorrupsionit dhe për të rritur kapacitetin e mekanizmave të kontrollit të brendshëm dhe monitorimin e strategjisë antikorrupsion. Parlamenti nënvizon nevojën për reforma në luftën kundër krimit të organizuara dhe krijimin e hapësirave për hetim dhe dënim në të gjitha nivelet". Gjatë diskutimit në këtë seancë, e cila zgjati për rreth 30 minuta, ku janë lexuar një nga një 18 pikat e rezolutës së raporterit Vuljanic, parlamenti përshëndeti zgjedhjet e përgjithshme dhe pranimin e rezultatit nga ana e qeverisë. Gjithashtu u kërkua nga palët që reformat të vijojnë në bashkëpunim me opozitën dhe shoqërinë civile. Rekomandimi i Parlamentit Evropian, pason atë të eurokomisionerit për zgjerim Shtefan Fyle, i cili ftoi me 17 dhjetor këshillin evropian t'i japë statusin Shqipërisë. Sipas Fyles ky do të ishte një inkurajim për klasën politike shqiptare për të vijuar reformat në vend.