http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Më shumë se 280 mijë qytetarë presin zgjidhjen e shtetit për të legalizuar pronën ndërkohë që 50 mijë të tjerë kanë paguar paratë për të legalizuar objektin e tyre, por edhe pas 7 vitesh nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Një nga sfidat më të mëdha në Shqipëri mbetet sërish pjesa se çfarë zgjidhje do të marrë legalizimi i ndërtimeve pa leje. Pas 2 muajsh analizë kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame deklaroi se procesi do te vazhdoje, por nuk dha një afat se kur qytetaret do te kenë lejen e legalizimit ne dore. Lame përshkroi agjencinë si një institucion të falimentuar. Jo vetëm për numrin e çështjeve që nuk kanë marrë ende asnjë përgjigje, por dhe për paratë që duhen të vazhduar punën në terren. "Nga 11.4 miliardë lekë të arkëtuara nuk kemi gjetur asgjë, dosjet janë në tokë se nuk ka as rafte ndërsa vetë fondi që duhet t'i shkonte Agjencisë së Kthimit të Pronave për kompensimin e ish-pronarëve, pjesa më e madhe rreth 40 milionë dollarë është përdorur nga ministria e Financave për qëllime të tjera". Ndërkaq ish-pronarët i kërkojnë qeverisë së re që të zgjidhë njëherë e mirë çështjen e kompensimeve. Në një intervistë për Vizion Plus, Myrshit Vorpsi shprehet se zgjidhja vjen ose nëse bëhet legalizimi i objektit mbi tokën e pronarit, duke paguar me vlerën e tregut, ose duke legalizuar vetëm objektin por jo truallin. Artan Lame deklaroi ndërkaq që pjesa e ndërtimeve pa leje që janë në proces legalizimi në zonat me rëndësi kombëtare do të prishen. Sa i përket çështjes së legalizimeve falas, Lame qartësoi se falas do të jetë vetëm tarifa e shërbimit që ofron agjencia e Legalizimeve, ndërsa vlera që qytetarët paguajnë për tokën ku kanë ndërtuar do të vijojë të jetë e njëjtë.