http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Qentë endacakë janë të rrezikshëm dhe sipas statistikave të fundit në Tiranë shifra varjon nga 7 mijë deri në 8 mijë. Edhe pse ligji shqiptar ndalon vrasjen e tyre, në mënyrë ilegale ajo është evidente sidomos në rrethe. Në Tiranë një skuadër e re e ngritur në bashkinë e Tiranës po punon prej dy muajsh për kapjen, sterilizimin dhe vaksinimin e qenve të rrugës. Me kamerën tonë xhirojmë një pjese të procesit. Nga kjo pushkë del një shiringe dhe jo një plumb, të paktën në syrin e kamerës askush nuk do guxonte. Disa minuta më vonë ky qen do të marrë një sy gjumë. Topitet, bën pak rezistencë dhe në fund dorëzohet. Sabri Metani, inxhinier pyjesh në profesion, por i punësuar së fundmi në sektorin e trajtimit të kafshëve na tregon se ka raste kur qentë e rrugës duhen vrarë. Rikthimi i tyre në habitat është e vetmja zgjidhje ndërsa thirrja është për qytetarët që të mos i braktisin sidomos ata të rretheve të cilët hedhin në Tiranë qindra këlyshë, të cilët më pas kthehen në rrezik edhe për banorët e kryeqytetit. Por, një realitet tjetër gjen në Kodrat e Liqenit në një ditë pushimi me diell. Kultura e mbajtjes së një qeni është kthyer sa në modë aq edhe në një nevojë për antistres. Personazhe publik shfaqin në facebook bashkëjetesën e tyre të mrekullueshme me qenin si të ishte shoku më i mirë në këtë botë. Kështu është edhe për këtë shtëpi. Një racë dhe dy fate e realitete të ndryshëm. Ndërsa Boy jeton si një zonjë e vërtetë, ky qen i braktisur po dridhet se ndoshta gjumi i tij do të rezultojë përgjithmonë.