Kosovë, KQZ publikon rezultatet e zgjedhjeve - News, Lajme - Vizion Plus

2015-11-24 3

http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Pas zhvillimit edhe të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, në Kosovë është krijuar një hartë e re politike. Në disa prej qyteteve më të rëndësishme, Gjakovë, Ferizaj, Mitrovicë e Jugut, Pejë, Gjiljan, përfshirë edhe Prishtinën, u shënuan përmbysje të mëdha. Sipas të dhënave paraprake të siguruara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës, që drejtohet nga kryeministri Hashim Thaçi, triumfuan në 10 komuna.  Ndërsa partia e dytë më e madhe në vend, Lidhja Demokratike e Kosovës, fitoi në nëntë njësi vendore, por pësoi humbjen më të rëndë në këto vite të pasluftës, atë në kryeqytet.  Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e Ramush Haradinajt, fitoi në tri komuna, por edhe pse siguroi një nivel të lartë votash në rang kombëtar, nuk arriti rezultatet që synonte, madje humbi edhe Pejën e Gjakovën, që i mbante deri më sot. AKR-ja e Behxhet Pacollit, mori Mitrovicën e Jugut, si dhe Gjakovën, me kandidaten Mimoza Kusari Lila. Vetëvendosja arriti vetëm një fitore, por atë më të rëndësishmen. Kandidati Shpend Ahmeti mposhti kryetarin aktual të komunës së Prishtinës, njëherësh kreun e LDK-së, Isa Mustafa. Megjithë humbjen në kryeqytet, vetë LDK e ka cilësuar fitore të madhe të sajën, rezultatin në rang vendi. Një proces i qetë dhe pa incidente u zhvillua edhe në komunat veriore me shumicë serbe, ku triumfuan kandidatët e listës "Serbska". Në komunën më të rëndësishme, atë të Mitrovicës së Veriut, Krstimir Pantiç mposhti rivalin Oliveri Ivanoviç. I gjithë procesi u vlerësua edhe nga OSBE, si i rregullt dhe paqësor dhe si një hap i rëndësishëm drejt besimit e sigurisë.