http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Gëzim Toma, Reiz Haxhiraj, Eduard Lulo tre të arratisurit nga burgu i Sigurisë së Lartë të Drenovës në mbrëmjen e së shtunës, mund të kenë kaluar në anën tjetër të kufirit, në Greqi. Burime jo zyrtare thanë se një bari i fshatit Qytezë ka parë tre persona të hipur mbi mushka duke kaluar mbi fshat për në anën tjetër të kufirit. Vizion Plus ka mësuar se ka qenë policia ajo që i ka bërë të ditur kryeplakut të fshatit Arrëz për gjetjen e tri mushkave të cilat janë marrë një ditë më parë nga të arratisurit në afërsi të fshatit. Prej tri ditësh forca të shumta të policisë kanë krehur të gjithë vijën kufitare me Greqinë nga Gërmenji e deri në Arrëz e Sinicë. Madje një natë më parë ata kanë gjetur gjurmë të një zjarri të sapo shuar, por jo autorët të cilët duke e njohur mirë edhe terrenin ia kanë dalë të kalojnë jashtë kufirit. Megjithatë, policia nuk e ka konfirmuar akoma këtë lajm. Ndërkohë në gjykatën e Korçës po zhvillohet gjyqi ndaj 4 të arratisurve të tjerë të prangosur nga policia një ditë më pas, 3 bashkëpunëtorëve të tyre jashtë qelisë, si dhe 21 policëve, gardianëve dhe stafit tjetër të burgut të sigurisë së lartë në Drenovë.