https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusT" />
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusT"/>
http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Qyteti i Unesko-s, Gjirokastra nga dita në ditë po humbet rrugicat magjike me kalldrëm. Janë me qindra metra katrorë kalldrëm që kanë humbur dhe janë zhytur nën beton. Në disa raste kjo ka qenë kërkesë e vet qytetarëve për të shkuar me makinë drejt banesave të tyre, ndërkohë që pushteti vendor i ka mbështetur ata për shkak të kostos së lirë që ka betonizimi i rrugicave krahasuar me shtrimin e tyre me kalldrëm. Nuk ka asnjë lagje të qytetit në të cilën betoni ku më shumë dhe ku më pak të mos ketë zëvendësuar kalldrëmet. Kurse në ato raste kur është shtruar kalldrëm, shihet qartë mungesa e dorës së dikurshme të mjeshtrave të gurit. Një prej tyre, Xhemali Boci pohon se kalldrëmi duhet të jetë me gur te zi, pasi ai është më rezistent se betoni apo asfalti dhe si shembull afron Kështjellën e Argjirosë apo furrat e gëlqeres të realizuara me gur të zi. Ish-anëtari i këshillit bashkiak Dino Çiço pohon se zgjidhja gjendet tek ngritja e një ndërmarrje që të merret vetëm me ndërtimin dhe mirëmbajtjen e kalldrëmeve dhe harmonizimin me pjesën tjetër të qytetit. Në të gjitha lagjet e qytetit ka mbetur vetëm një sipërfaqe kalldrëmi prej 49 000 metra katrorë ndërkohë që thuajse dyfishi i saj është shkatërruar apo zëvendësuar nga betoni. Madje betonizimi po ndihet edhe në rrugën që të çon në shtëpinë e shkrimtarit të njohur Ismail Kadare, shtëpia e të cilit është drejt restaurimit të plotë. Sipas Vangjel Muços nënkryetar i bashkisë së Gjirokastrës, bashkia ka në qendër të vëmendjes arritjen e marrëveshjeve me donatorët për rikonstruksionin e rrugëve me kalldrëm. Pranë drejtorisë Rajonale të Monumenteve të Kulturës në 5 vitet e fundit nuk ka ardhur asnjë investim për kalldrëmet pohon inxhinieri Dorian Ceribashi. Por, pavarësisht apelit të të gjithëve, kalldrëmet vijojnë të mbulohen nga betoni dhe nuk dihet se kur do të marrë fund kjo masakër në qytetin muze të Gjirokastrës.