Hetimet për arratisjen e të burgosurve - News, Lajme - Vizion Plus

2015-11-24 0

http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Grupi hetimor po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të dinamikes së ngjarjes, mënyrën e futjes së armëve në ambientet e burgut të Sigurisë së Lartë dhe kohën e saktë kur janë futur, gjë që do të përcaktojë përgjegjësit kryesorë për ngjarjen e rëndë. I dyshimtë mbetet për prokuroret fakti i mosreagimit në kohë të efektiveve të policisë në momentin e ngjarjes, gjë që hedh dyshime edhe për bashkëpunëtore të tjerë brenda burgut. Nga hetimet ka rezultuar se të burgosurve u është dashur rreth 20 minuta për të dalë nga klasa deri në prishjen e njërës prej kamerave të sigurisë, por gjate kësaj kohe ata nuk janë vënë re nga monitorueset brenda institucionit. Burime të Vizion Plus në Korçë bëjnë të ditur se armët janë futur në burg në datën 13 qershor. Ato ishin të çmontuara dhe të fshehura në pjesën e pasme të një frigoriferi, që i dënuari Admir Tafili kishte porositur tek miqtë e tij jashtë qelisë. Madje, në të njëjtën datë, fleta në regjistrin ku mbahen shënimet, rezulton të jetë e zhdukur. Skema e zbuluar ka qenë tronditëse për nga mënyra e funksionimit, pasi dyshohet se në futjen e armëve janë përfshirë drejtpërdrejt të paktën 4 punonjës të policisë së burgut. Gjithçka mësohet se është organizuar nga shtetasi Altin Lami, një prej miqve të Admir Tafilit, i cili në bashkëpunim me të arrestuarit Albi Meçini dhe Olsion Maçi kanë planifikuar skemën e futjes së armëve në burgun e sigurisë së lartë. Disa muaj më parë, Admir Tafili, i dënuar me burgim të përjetshëm dhe i arratisur nga qelia në vitin 2012 u kishte kërkuar autoriteteve të burgut të pranonin futjen e një frigoriferi në qelinë e tij. Kërkesa është miratuar dhe në ndihmë të Tafilit kanë ardhur tre miqtë e tij, dikur shokë burgu, të cilët kane çuar frigoriferin në burgun e Sigurisë së Lartë të Drenovës, brenda të cilit kanë qenë të fshehura katër armë zjarri, dy automatikë dhe dy pistoleta. Pjesët e armëve kanë qenë të futura në vende të ndryshme të frigoriferit, duke iu shpëtuar kështu kontrollit të autoriteteve policore të burgut, të cilët për një kohë të gjatë nuk kanë mundur t'i zbulojnë ato. Armët në qelinë e Tafilit i kanë shpëtuar edhe një kontrolli të ushtruar nga policia e burgjeve rreth dy javë më parë, kur në burgun e Drenovës janë gjendur shumë celularë, por asnjë prej punonjësve të këtij burgu nuk është penalizuar.