Aksidenti i deputetit Olldashi, nga pakujdesia - News, Lajme - Vizion Plus

2015-11-24 17

http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Vdekja tragjike e deputetit të partisë Demokratike, Sokol Olldashi, mund të ishte shmangur nëse gjatë momentit të aksidentit do të kishte të vendosur rripin e sigurimit. Të paktën ky është mendimi i ekspertëve, të cilët përgjatë gjithë natës së djeshme dhe ditës së sotme kanë kryer në vendin e ngjarjes matjet dhe verifikimet e nevojshme për të përcaktuar shkaqet e aksidentit tragjik. Nga të dhënat e para mësohet se makina e deputetit ka qenë në gjendje të mirë teknike, gjë që përjashton deri në këto momente ndonjë defekt të mundshëm, ndërsa ka rënë poshtë edhe dyshimi se deputeti ka qenë duke ecur me shpejtësi të madhe. Deri tani dyshohet se shkaku i aksidentit ka qene një pakujdesi e drejtuesit, gjë qe duke u favorizuar edhe nga moti i keq ka bërë të mundur devijimin e mjetit nga rruga duke renë nga një lartësi prej 15 metrash. Por, vdekja tragjike e deputetit u shoqërua edhe me një mister për shkak të personit të dytë që mendohej të ishte me të në makinë. Fillimisht në media u përfol si pasagjer ish-drejtori i përgjithshëm i Qarkullimit Rrugor Shkëlzen Alia, lajm ky që u përgënjeshtrua disa minuta më vonë, ndërsa më pas u fol për një shoqëruese femër, bashkëpunëtoren e Olldashit në ministri e në parti Arminda Qylafku. Por edhe ky version ra poshtë, madje ish-zëdhënesja iu bashkua mesazheve të ngushëllimit për familjen e Olldashit. Ndërsa versioni i tretë, që vështirë të marre një konfirmim apo përgënjeshtrim zyrtar është se në makinë me deputetin ka qenë një person tjetër, që nuk ka ndërruar jetë dhe nuk është bërë pjesë e dinamikës së ngjarjes në versionin zyrtar të policisë. Aksidenti tragjik ndodhi rreth orës 21:30 të mbrëmjes të së mërkurës në rrugën nacionale Tiranë -- Elbasan, në vendin që njihet ndryshe si Lapidari. Deputeti ka qenë duke udhëtuar nga Elbasani drejt kryeqytetit, por për shkak të terrenit të vështirë makina ka dalë nga rruga duke shkaktuar edhe këtë ngjarje fatale. I pari që ka njoftuar policinë ka qenë deputeti i Durrësit Igli Cara, por megjithë angazhimin e forcave të rendit, trupi i deputetit është mundur të nxirret vetëm pas dy orëve. Afër mesnatës të afërmit e Olldashit kanë hapur dyert e zisë.

Free Traffic Exchange