Abuzimi me karburantet - News, Lajme - Vizion Plus

2015-11-24 1

http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe sipërmarrjes, përmes një shkrese zyrtare të nisur në kryeministri i kërkon ekzekutivit që të bëjë amendimin e ligjit për metrologjinë dhe më pas do të bëjë publikë emrat e subjekteve të cilët kanë vjedhur konsumatorin duke mashtruar në sasi. Gjatë rezultateve të nxjerra një ditë më parë, drejtoria e metrologjisë refuzoi të japë të dhënat e 76 bizneseve të cilat rezultonin se kishin mashtruar konsumatorin duke i shitur më pak, për shkak të ligjit për të dhënat personale, i cili ka një nen që kërkon ruajtjen e konfidencialitetit edhe për biznesin. Burime pranë Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe sipërmarrjes bëjnë me dije se kërkojnë që në ligjin për metrologjinë, në nenin 5 të shtohet një pikë tjetër e cila të përcaktojë qartë që "subjekti tregtar i cili bën shkelje dhe dëmton konsumatorin nuk mbrohet nga konfidencialiteti". Ndërkohë, në një intervistë për Vizion Plus, kryetarja e autoritetit të konkurrencës Lindita Milo, shprehet se nëse emrat e abuzuesve bëhen publikë, nuk dëmtohet konkurrenca e lirë. Një ditë më parë metrologjia publikoi rezultatet e një kontrolli që zgjati gjatë gjithë muajit tetor në 225 subjekte, ku 75 prej të cilave rezultonin me shkelje. Përveç karburanteve ky raport bënte me dije se edhe shumë furra buke shesin produkte të cilat nuk kanë kalibrim të peshës. Ndërkaq mësohet se prokuroria do të kërkojë materialet në drejtorinë e metrologjisë edhe për këtë kontroll, të cilat do t'i bashkëngjiten dosjes që po hetohet që prej shtatorit nga njësia task force e njësisë së Tiranës.