BE & DASH: Asnjë ndikim në marrëdhëniet me Shqipërinë - News, Lajme - Vizion Plus

2015-11-24 0

http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Komisioni Evropian shpreh mirëkuptimin për vendimin e kryeministrit shqiptar Edi Rama, për të mos pranuar shkatërrimin e arsenalit me armë kimike në vendin tonë. Zëdhënësi i KE-së, Majkell Men, për "Vizion Plus" tha se Bashkimi Europian e respekton vendimin e qeverise shqiptare. "Ne e mbajtëm shënim deklaratën e kryeministrit Rama mbi çështjen e armëve kimike të Sirisë. Bashkimi Evropian e kupton dhe e respekton këtë vendim. Bashkimi Evropian do të vijojë të mbështesë organizatën për ndalimin e armëve kimike, OKB-në dhe partneret tanë ndërkombëtare, në përpjekjet e vazhdueshme për të shkatërruar arsenalin e armëve kimike të Sirisë." Ndërkaq, pas ambasadës amerikane në Tiranë, edhe Departamenti i Shtetit konfirmoi se vendimi i Shqipërisë nuk do të ndikoje në marrëdhëniet mes dy vendeve. Zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Xhen Psaki tha se SHBA e vlerëson përpjekjen e vendit tone për t'u angazhuar në këtë proces. "Nuk do të ketë asnjë ndikim në marrëdhëniet dypalëshe. Ne e vlerësojmë faktin që Shqipëria e konsideroi seriozisht mundësinë për të pranuar shkatërrimin e armëve kimike. Kryeministri Rama tha se komuniteti ndërkombëtar vijon të diskutojë rrugët më efektive për shkatërrimin e armëve kimike. Ka një numër vendesh me të cilët komuniteti ndërkombëtar po bisedon dhe çdo vend duhet të vendosë, si mund të ndihmojë dhe asistojë në proces." Më herët, vetëm pak çaste pas refuzimit zyrtar që kreu i qeverise i beri kërkesës së SHBA-së, përfaqësia diplomatike e Uashingtonit në vendin tonë u shpreh se SHBA-ja do të vazhdojë të mbështesë qeverinë dhe popullin e Shqipërisë dhe se do të vijojmë të mbetemi miq.