http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Cen Stojku, mjeku i njohur në qytetin e Korçës ka vite që ka mbushur moshën e pensionit. Tani ai është 76 vjeç, por vazhdon të jetë aktiv në shërbimin shëndetësor, ashtu siç janë edhe 21 mjekë të tjerë, pjesa më e madhe e të cilëve shërbejnë në fshatrat e rrethit. Por veç këtyre, ka edhe shumë personel tjetër shëndetësor, kryesisht mjekë poliklinikash dhe ambulancash. Stojku pranon se kjo situatë për të dhe shumë të tjerë, ka ardhur për mungesë të mjekëve, të cilët edhe kur mbarojnë studimet, preferojnë të rrinë në kryeqytet, apo të sistemohen në klinika private sesa të punojnë në sistemin shëndetësor. Sipas mjekut kardiolog, Pëllumb Bregu, nëse nuk do të ketë specializime për mjekët e shërbimit spitalor do të jetë akoma më e vështirë në të ardhmen për shërbime në kardiologji dhe kirurgji. Drejtori i shëndetit publik në Korçë, Edmond Hysenbelliu, thotë se mjekët që duhet të ishin në pension do të vazhdojnë të punojnë përderisa nuk ka mjekë për t'i zëvendësuar. Mungesa e mjekëve të specialiteteve në Korçë ka bërë që pacientë të shumtë nga ky qytet të kërkojnë shërbim të kualifikuar në spitalet e kryeqytetit.