Tragjedia në minierë - News, Lajme - Vizion Plus

2015-11-24 5

http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Fshati Beragozhdë është vetëm një nga gjashtë fshatrat e komunës Dardhas të Pogradecit që jeton në varfëri ekstreme, pasi duke qenë zonë malore banorët atje tokën e kanë të paket, dhe të ardhurat që sigurojnë nga ajo pak tokë e disa kokë bagëti nuk ju mjaftojnë për të mbajtur frymën gjallë. Ndaj, dhe për këtë arsye, galeritë e minierës që ndodhet në fshatin e tyre e shikojnë si vendi ku mund të sigurojnë bukën e gojës për familjet e tyre. Sazan e Arjan Hamolli bashkë me njërin nga tre vëllezërit që mbetën në galeri hynin pothuajse çdo ditë në minierë, ashtu siç kanë bërë edhe tri ditë më parë. Duke qenë se po vonoheshin për t'u kthyer në shtëpi, në drejtim të tyre janë nisur dy vëllezërit e tjerë të familjes Hamolli, por e kanë pasur krejt të pamundur për  të hyrë brenda. Një nga banorët e fshatit ka sjellë një bombël me oksigjen me të cilën është bërë e mundur të hyhet në galeri për të nxjerrë prej andej vetëm njërin nga dy vëllezërit. Ndaj edhe është kërkuar ndihmë e specializuar nga grupi i kërkim shpëtimit të minierave. Neta Hamolli nëna e tre vëllezërve që mbetën pa jetë në galerinë e kësaj miniere, tregon se familja e saj jeton në varfëri të plotë që nga vdekja e bashkëshortit të saj pak vjet më parë. "I martova me vdekjen", -- thotë mes lotëve nëna që tashmë jeton e vetme në shtëpinë e saj që është gati të shembet. "Nuk mund të jetohet vetëm me 28 mijë lekë të vjetra që marrim si familje në komunë",- thotë babai i dy vëllezërve të tjerë që humbën jetën në një nga galeritë e kësaj miniere. Në oborrin e shtëpisë kanë mbetur kabull e hekura të pashitura të marra prej djemve në minierë. Sipas prefektit të Korçës, Ardit Konomim vite më parë, pas një tenderi të zhvilluar, një firmë ka mbyllur hyrjen e këtyre galerive të braktisura. Por,nga 15 metra thellësi që duheshin mbyllur galeritë nga firma, tunelet  janë mbyllur me vetëm 5 metra, duke ju dhënë kështu mundësi banorëve të hapnin një pjesë të mirë të këtyre galerive. Ndërkohë, pas ngjarjes ku 5 të rinj mbetën në thellësi të galerive, Prokuroria ka filluar çështjen penale në gjendje të lirë ndaj kryetarit të degës Alb-miniera Përrenjas Pogradec si dhe rojës së minierës së Beragozhdës. Te dy, akuzohen se me detyrën që kanë pasur nuk kanë marrë masat e nevojshme për ruajtjen,administrimin dhe mbylljen e galerisë ku kanë gjetur vdekjen të rinjtë.

Free Traffic Exchange