Konflikti për godinën e PSD-së - News, Lajme - Vizion Plus

2015-11-24 14

http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Ka dështuar për të dytën herë tentativa e përmbaruesve privatë për t'ia rikthyer godinën ku ndodhet partia Social Demokrate, ish-pronarëve megjithëse këta të fundit kanë një vendim gjykate. Ashtu siç kishin paralajmëruar një javë më parë, përmbaruesit privatë janë rikthyer në ambientet PSD në orën 08:00 të mëngjesit, për të ekzekutuar vendimin e gjykatës, por janë penguar nga rojet e godinës, si dhe nga disa efektivë të policisë private që këtë herë ishin marrë nga PSD. Pasi kanë rrëzuar me forcë portën e selisë, përmbaruesit së bashku me pronarët kanë hyrë në oborrin e ndërtesës dhe kanë filluar të nxjerrin materialet që ndodheshin brenda objektit. Kjo situatë zgjati rreth një orë pasi si ish-pronarët edhe kreu i PSD-së Skender Gjinushi, i cili ndodhej në zyrë kanë telefonuar policinë e rendit dhe në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë së shtetit, bashkë me ato speciale. Policia ka larguar nga godina të gjithë personat që ndodheshin në ndërtesë dhe për pasoje janë shënuar edhe përplasje mes policisë së shtetit dhe përmbaruesve. Në një prononcim për mediat, përmbaruesi Baftjar Nela u shpreh se do të vazhdojnë të tentojnë të ekzekutojnë vendimin. Ndërsa kryetari i PSD-së Skënder Gjinushi pretendoi se ka falsifikim të aktit të pronësisë dhe enti i banesave po shpërdoron detyrën. Në këto momente përmbarimi është detyruar edhe një herë të largohet ndërsa godina ruhet nga rojet private të PSD-së.