Trupat e 5 të rinjve nxirren nga galeria - News, Lajme - Vizion Plus

2015-11-24 1

http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Trupat e pajetë të tre të rinjve janë nxjerrë sot në mëngjes nga thellësitë e galerive të fshatit Beragozhd të Pogradecit, ndërsa gjatë ditës së djeshme nga miniera e braktisur kishin dalë trupat e dy të rinjve të tjerë. Vëllezërit Sazan e Arjan Hamolli si dhe kushëri i tyre Ledion Hamolli, dolën pa jetë nga galeria ku ishin futur të mërkurën në mbrëmje. Për nxjerrjen e viktimave nga nëntoka, gjatë më shumë se 40 orëve punuan pa pushim specialistët e minierave dhe punonjës të zjarrfikëseve, të cilëve iu desh që të hiqnin gazin nga vendi ku kishin mbetur të bllokuar 5 të rinjtë, që të gjithë kushërinj me njëri-tjetrin. Të pestë, prehen në banesën e fundit në fshatin e tyre, ndërsa gjithë zona ka qenë në zi për këtë tragjedi. Komuna e Dardhasit ka marrë përsipër shpenzimet për varrimin e tyre dhe është hapur edhe një numër llogarie për t'u ardhur në ndihmë familjeve. Dy ditë më parë vëllezërit Ledion, Nertil e Edison Hamolli hynë në një nga galeritë e minierës së qymyrgurit të fshatit dhe menjëherë pas tyre edhe dy kushërinjtë, vëllezërit e tjerë Sazan e Arjan Hamolli. Bashkë më ta mësohet të ketë qenë edhe një person tjetër, identiteti i të cilit nuk është bërë i njohur. Të gjithë të rinjtë kanë mbetur në thellësi të galerisë të asfiksuar nga çlirimi i dioksidit të karbonit, ndërsa personi tjetër ka mundur të dalë prej andej. Ai ka qenë personi që ka lajmëruar për rrezikun brenda në galeri dhe më pas është nxjerrë në sipërfaqe nga të afërm të tij. Kur kanë mbërritur specialistët e minierave gjithçka kishte përfunduar pasi të rinjtë kishin vdekur të gjithë në galeri, të mbytur nga gazi. Sasia e madhe e dioksidit të karbonit që çlirohej nga një gjenerator i marrë prej viktimave për largimin e ujit nga galeria, ka detyruar specialistët që të ndërpresin shpesh kërkimet, për shkak të pamundësisë për t'u futur në thellësi.