Mbyllen furrat e gëlqeres - News, Lajme - Vizion Plus

2015-11-24 0

http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Për herë të parë pas 20 vjetësh, zona mes Fushë-Krujës dhe Krujës nuk do të jetë e mbushur me re të zeza tymi, ndërsa banorët e këtij rajoni bashkë me ato kryeqytetit mund të marrin frymë lirisht. Furrat e gëlqeres, që për dy dekada digjnin përditë goma, janë fikur dhe në qiell ka vetëm ajër të pastër. Aksioni i Inspektoriatit Ndërtimor dhe atij të Mjedisit, edhe pse i vonuar, ka dhënë rezultatet e veta. Pjesa më e madhe e furrave janë shkatërruar ndërsa pak të tjera janë fikur, duke i dhënë fund kështu masakrës mjedisore në këtë zonë, që prodhonte njëkohësisht rrezik dhe vdekje për banorët atje. Siç shihet nga pamjet e marra paraditen e sotme, furrat e gëlqeres janë tashmë të braktisura, megjithëse në disa prej tyre materiali i hedhur prej ditësh vazhdonte të digjej. Banorët e zonës dhe autoritetet lokale shprehen të kënaqur për prishjen e këtyre furrave. Aksioni i ministrisë së Mjedisit për prishjen e 109 furrave të gëlqeres, që kryenin aktivitet të paligjshëm, duke djegur goma, u nis pak ditë më parë, ndërsa pronarët e tyre ishin lajmëruar me kohë për shkatërrimin e tyre. Në këto furra punonin rreth 200 persona, ndërkohë që iniciativat për mbylljen e tyre ndër vite nuk kanë munguar, por rezultati ka qenë gjithnjë tërheqja e shtetit. Pavarësisht se me shumë vonesë, mbyllja e aktivitetit të paligjshëm dhe të dëmshëm për shëndetin e njerëzve, është një shenjë se kur autoritetet shtetërore e kanë seriozisht ndalimin e këtyre lloj aktivitetesh, askush nuk mund ta sfidojë shtetin, të paktën jo për një kohë të gjatë.