Shembje ndërtimeve me leje? - News, Lajme - Vizion Plus

2015-11-24 2

http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Kompetencat e dhëna nga qeveria Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar janë kundërshtuar nga opozita. Në një seancë dëgjimore në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni, është akuzuar nga të djathtët se qeveria po shkel kushtetutën dhe konkretisht parimin e të drejtës së pronës dhe atë të sigurisë ligjore. Nënkryetari i komisionit të Veprimtarive Prodhuese Genc Ruli tha se: "me këtë ligj po i jepni INUK kompetenca që nuk i takojnë, nuk garantohet siguria e pronës, pra nëse dikush ka marrë një leje ndërtimi inspektori konstaton shkelje dhe ky ndërtim prishet? Jam me ju që ka kaos në territorin tonë, hajde bashkëpunojmë, por jo duke shkelur kushtetutën dhe ligjin". Ndërsa sipas zonjës Gjermeni nuk i janë dhënë më shumë kompetenca, por janë unifikuar kompetencat. Komisioni është shoqëruar me debate edhe për fuqinë që këshilli i ministrave i ka lënë task forcës, sa i përket vendimeve që duhen marrë për ndërtime që janë bërë në zona me prioritet kombëtar, apo ndërtime ku është devijuar projekti fillestar. Sipas deputetëve të djathtë ekzekutivi po merr kompetencat e gjyqësorit. Gjatë raportimit në komision, ministrja Eglantina Gjermeni tha se INUK tashmë ka të drejtë të prishë jo vetëm ndërtimet pa leje, por dhe ato me lejë ku janë shkelur rregullat e ndërtimit.