Aksioni kundër shfrytëzimit të inerteve - News, Lajme - Vizion Plus

2015-11-24 1

http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Na ishte dikur një lumë. Kjo është shprehja që mund t'i përshtatet më së miri, asaj që ka mbetur nga lumi Terkuze, në komunën Zallherr. Të paktën pesë subjekte gërryejnë në mënyrë të jashtëligjshme shtratin e lumit edhe pse ai është shpallur i mbrojtur ndaj këtij aktiviteti. Toka përreth ka nisur të rrëshqasë së bashku me pemët disa vjeçare. Në një aksion të përbashkët me INUK-un, inspektorët e ministrisë se Mjedisit kanë pezulluar çdo subjekt që nxjerr inerte nga ky lumë dhe nisma do të shtrihet në të gjithë basenin Ishëm-Erzen, ku veprojnë në total 46 aktivitete të jashtëligjshme. Sipas inspektorëve, kjo është e disata herë që këto aktivitete pezullohen, por rihapen pas aksioneve. Kjo pasi asnjëherë dosjet e shkelësve nuk janë dorëzuar në prokurori për ndjekje penale. Në total në vend ka 120 subjekte që shfrytëzojnë shtretërit e lumenjve për nxjerrjen e inerteve, por jo në të gjitha rastet ky aktivitet është i jashtëligjshëm. Disa prej baseneve ku prurjet natyrore janë të mëdha, grumbullimi i inerteve lejohet. Megjithatë për shkak të gërryerjes së madhe të lumenjve deri në devijim të shtratit të tyre, ministria e Mjedisit po shqyrton mundësinë e një moratoriumi 5-vjeçar për nxjerrjen e inerteve.