http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Një ditë pas shembjes së kontrolluar të hotelit 7-katësh në Skelë të Vlorës, rruga që të çon atje vijon të jetë e bllokuar për shkak të punimeve, që po kryhen për të realizuar shembjen totale të godinës. Fadromat e Inspektoriatit Urbanistik Ndërtimor kanë shembur pjesët e mbetura të këmbë të kolonave të ndërtesës, ndërkohë që dhjetëra forca policore dhe inspektorë kanë qëndruar përreth objektit. Burime pranë Inspektoriatit Urbanistik të Ndërtimit thonë se ka një fazë të dytë për heqjen e inerteve në bashkëpunim me prefekturën dhe dërgimin e tyre në një vend tjetër. Ka gjithashtu propozime që këto inerte të shfrytëzohen si bazament për pedonalen, që do të ndërtohet në atë zonë. Ndërkohë, java ka nisur me prishje të reja në Vlorë. Gjatë ditës u prishën dy objekte të tjera shumëkatëshe, lokale të ndërtuara pa leje në këtë zonë dhe që cenojnë objektin e Lungomares që do të ngrihet aty. Pronarët e këtyre ndërtimeve nuk kanë bërë rezistencë, ndërsa ndërtimorët thonë se aksioni për prishjen e ndërtimeve pa leje nuk do të ndalet në asnjë ditë, duke u shtrirë në të gjithë vijën bregdetare, deri tek tuneli i Ujit të Ftohte. Veç ndërtesave të diskutueshme dhe shumë të përfolura në këtë zonë, si lokale, diskoteka dhe objekte plazhi, do të prishen edhe disa karburante dhe do pastrohet rruga nga tabelat.