Shembet hoteli në Vlorë - News, Lajme - Vizion Plus

2015-11-24 4

http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Ka marrë fund kështu odisea e prishjes së hotelit 7-katësh në qytetin e Vlorës. Nëpërmjet një shpërthimi të kontrolluar, forcat xheniere dhe ato të inspektoriatit urbanistik ndërtimor, godina e cila nuk ishte vënë asnjëherë në funksion është shembur. Shpërthimi ka zgjatur vetëm pak sekonda dhe nga forca tij nuk është krijuar asnjë problem për qytetarët apo ndërtesat përreth. Objekti ishte mbajtur prej një jave nën mbikëqyrjen e forcave të policisë, ndërsa gjatë këtyre ditëve ekspertët kishin konkluduar mënyrën për ta rrëzuar ndërtesën pa krijuar probleme në zonë. Megjithatë, që mbrëmë policia kishte njoftuar qytetarët në Vlorë që të mos lëviznin në aksin ku ishte ngritur hoteli deri afër mbrëmjes. Lokalet aty pranë ishin porositur gjithashtu që të mbanin dritaret hapur për të mos pësuar dëmtime nga një valë e mundshme goditëse prej shpërthimit. Toka ku ishte ndërtuar godina e rrëzuar përdhe është në pronësi të familjes Gorani nga Kavaja që në vitin 1941. Pas çlirimit ajo u sekuestrua nga regjimi komunist ndërkohë që deri pak para ndryshimeve demokratike në të ishte ngritur një lokal i njohur me emrin Aulona. Në vitin 1998, pas privatizimit në këtë vend u ndërtua me leje ky hotel 7-katësh nga disa ndërtues vlonjatë. Por bashkia e qytetit të Vlorës në bazë të një studimi disa vite më vonë e cilësoi këtë godinë si dëmtuese për imazhin bregdetar si dhe një plan urbanizimi të ri të qytetit dhe u vendos shembja e saj.