Bllokimi i faqeve të basteve - News, Lajme - Vizion Plus

2015-11-24 0

http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Njësia e mbikëqyrjes së lojërave të fatit po harton listën e faqeve të jashtëligjshme përmes të cilave shqiptarët vënë baste sportive me kompani të cilat nuk operojnë në Shqipëri. Sipas ministrisë së Inovacionit dhe Administratës Publike, menjëherë pas dorëzimit të këtyre adresave, autoriteti i komunikimeve elektronike dhe postare do të nisë bllokimin e linqeve. Vetë ministria pranon se rreziku është që në vijim këto lloj adresash, apo faqe te tjera të tentojnë të rifuten në sistemin shqiptar, dhe pikërisht për këtë do të caktohet një strukturë e re që do t'i mbajë në vëzhgim. Ekspertët thonë se deri tani, bastet online kanë kryer aktivitet pa paguar asnjë taksë duke u lejuar në mënyrë të heshtur nga vetë shteti. Aksioni kundër luftës së evazionit të ndaj lojërave të fatit po vijon edhe për kazinotë. E kontaktuar nga Vizion Plus, drejtuesja e njësisë së mbikëqyrjes s lojërave të fatit Luneda Sufali thotë se ka nisur një aksion në bashkëpunim me tatimet dhe policinë për të vendosur pullë fiskale në çdo makineri loje. Por, për ekspertët ndryshe nga bllokimi i faqeve online, mbikëqyrja e kazinove është më e vështirë pasi edhe pse subjekti mund të rezultojë i regjistruar, ai sërish mund t'i shmanget pagesës së taksave. Ligji për lojërat e fatit ndalon ndërtimin e bizneseve të tilla pranë subjekteve shëndetësore, arsimore dhe fetare. Por në Shqipëri ky nen duket sikur nuk ka ekzistuar kurrë. Vetëm në Qytetin Studenti, ditën e parë të aksionit "Fundi i marrëzisë" u mbyllen 150 lokale bastesh e lojërash fati. Sipas të dhënave të deritanishme, nga 2200 subjekte të kontrolluara, vetëm 200 rezultojnë të jenë të regjistruara, duke i kushtuar buxhetit të shtetit miliona dollarë dëme.