http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Brenda kësaj jave aktivitetet e jashtëligjshme të furrave të gëlqeres, nuk do të ekzistojnë më. Ky është afati që ka vendosur ministria e Mjedisit për të çliruar Krujën, Fushë Krujën, Niklën dhe Thumanën nga djegia e gomave të makinave. Alfred Deshati, drejtor i Kontrollit për Mjedisin në këtë ministri, pohon për "Vizion Plus" se ndërhyrja do të behet me dhjetëra forca policore. Kjo edhe për shkak të precedentëve të mëparshëm në këto zona, ku ka pasur përplasje fizike me ushtruesit e aktiviteteve të ngritura në oborret e shtëpive të tyre. Të mërkurën drejtuesit vendore do të përfundojnë planin e masave për mbylljen e furrave. Por, historia e ndërprerjes së aktiviteteve të jashtëligjshme në Shqipëri nuk është pozitive. Sapo mbaron aksioni për prishjen e tyre, ringrihen nga e para. A do të ndryshojë ky realitet këtë herë dhe me çfarë mekanizmi? Vendimi për pezullimin e furrave të gëlqeres, nuk do të thotë mbyllje e përhershme e këtij aktiviteti. Drejtuesit e ministrisë së Mjedisit do të kryejnë një studim, për t'i grupuar në një zonë të përshtatshme dhe për të lejuar prodhimin me lende djegëse jo ndotëse të mjedisit. Megjithatë, sfida e parë mbetet përballja me banorët e zonës, që furrat e gëlqeres i shohin si të vetmin mjet jetese.