Durrësi, turizëm pa kapacitete - News, Lajme - Vizion Plus

2015-11-23 0

http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Pavarësisht se sezoni i verës ka kaluar, Durrësi vijon të jetë një destinacion i përhershëm për turistët e huaj, sidomos për ata që këtë qytet të lashtë e kanë në guidat turistike të agjencive të vendeve fqinje. Rasti më i fundit është ai i një kroçere me 660 turistë që mbërriti këtë fundshtatori në këtë qytet, ku një pjesë e madhe e tyre shëtitën në këmbë dhe të paorganizuar për pak orë nëpër qytet. Ky spontanitet vjen për shkak se Durrësi nuk i ka kapacitetet as të hotelerisë, as të restoranteve, as sigurimin e transportit dhe mundësitë e guidave profesionale turistike, siç i kanë p.sh. fqinjët tanë.Qyteti i Durrësit ka afro 100 njësi akomodimi, hotele dhe pensione, që janë të vendosura në zonën e plazhit në një gjatësi prej rreth 7 kilometrash, por mos-rakordimi i përpjekjeve të operatorëve e bën të pamundur mikpritjen e një numri të madh turistësh në resorset e këtij qyteti.Por nuk janë vetëm akomodimi dhe shoqërimi problemet e vetme për përballimin e turistëve që vijnë me kroçera të tilla në Durrës. Sipas operatorëve turistikë, vitin që vjen pritet një 3-fishim i fluksit të tyre, si dhe ardhja e mjeteve edhe më të mëdha, ndaj nevojitet ndërtimi i një kalate te posaçme për këtë qëllim.Turizmi është aktualisht një nga sektorët me peshën më të madhe në ekonominë lokale të qytetit, pavarësisht sezonit të shkurtër dhe shifrave jo shumë të kënaqshme të këtij viti. Por a do të vazhdojë turizmi të menaxhohet në të njëjtën mënyrë? Kjo mbetet për tu parë, pasi pas pak muajsh fillojnë përgatitjet për vitin e ardhshëm, ndërsa ardhja e kroçerave të tilla të mëdha në portin e Durrësit nuk është më diçka e rrallë