News, Lajme - Vizion Plus - Vidhen trafikndarëset në aksin Fushë Krujë-Milot

2015-11-23 2

Trafikndarëset në aksin rrugor Fushë Krujë -- Milot kanë filluar të çmontohen. Persona të paidentifikuar kanë vjedhur mbajtëset metalike të rrugës për t'i shitur për skrap. Edhe pse lehtësisht e dukshme, grabitja nuk është denoncuar nga askush dhe nuk ka nisur asnjë hetim për identifikimin dhe ndalimin e shkatërruesve të pronës publike. Një kontroll i thjeshtë në pikat e grumbullimit të hekurit përgjatë kësaj rruge do të ishte mënyra më e lehtë për gjetjen e hajdutëve. Te vendosura ne vitin 2001, kur edhe është rindërtuar rruga, mbajtëset metalike të saj duket se janë te destinuara të shkojnë të gjitha për skrap. Neni 155 i kodit penal për shkatërrimin e rrugëve, në varësi të dëmit të kryer, parashikon dënimin nga gjobë deri në 15 vjet burg të autorëve të kësaj vepre penale. Pavarësisht se ligji është mjaft i qartë, ai nuk mund të zbatohet në mungesë të hetimeve konkrete. Pamjet flasin për mungesën totale të administrimit dhe kontrollit të territorit dhe rrugëve nga ana e institucioneve. Babëzia e vjedhjes dhe shitjes së materialeve për skrap nuk ndalet përballë çdo objekti metalik, duke mos kursyer as pasurinë publike dhe pa patur frike nga ndëshkimi ligjor.