Kombëtarja shqiptare e futbollit përballet sonte në një ndeshje miqësore Armeninë në orën 20:45 në stadiumin "Qemal Stafa". Tekniku italian Xhani de Biazi ka mundësinë për të zhvilluar testin e fundit para sfidës së 6 shtatorit me Slloveninë, e vlefshme për eleminatoret e botërorit "Brazil 2014". Në takimin e sotëm, pritet të debutojnë katër lojtarë, Amir Abrashi dhe Vullnet Basha, të cilët ishin thirrur edhe ndaj Norvegjisë, si dhe Shkëlzen Gashi e Emir Lenjani, të grumbulluar për herë të parë. De Biazi pritet të përdorë skemën klasike, 4-4-2. Në portë do të aktivizohet Etrit Berisha, në mbrojtje Dallku, Cana, Teli dhe Agolli. Në mesfushë, në të djathtë Roshi është në balotash me Andi Lilën, por ky i fundit shihet si favorit. Në qëndër të mesfushës do të luajë Migjen Basha dhe i riu Abrashi, ndërsa në të majtë, Valdet Rama. Sulmi pritet t'i besohet Gashit dhe Kapllanit. Takimi do të gjykohet nga arbitri bullgar Stanislav Todorov. Kompanitë e basteve kuotojnë si favorite Shqipërinë, edhe pse rezultatet e mëparshme ndaj armenëve nuk kanë qenë shumë pozitive për ne. Pavarësisht çmimit të ulët të biletave, ka patur një interesim të pakët për ndeshjen e sotme të kombëtares, kjo ndoshta edhe prej sezonit të pushimeve të verës.