News Edition in Albanian Language - Vizion Plus - 12-vjetori i Marrëveshjes së Ohrit

2015-11-23 0

13 gushti shënon 12-vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, mes shqiptarëve dhe maqedonasve, e cila i dha fund konfliktit të armatosur të vitit 2001. Në këtë ditë, pas pesë muajsh luftimesh, u arrit paqja mes Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, që kërkonin më shumë të drejta për shqiptarët, dhe forcave policore e ushtarake të qeverisë. Pakti i ndërmjetësuar nga ndërkombëtarët ishte i një rëndësie të veçantë, për marrëdhëniet mes komuniteteve etnike në këtë shtet. Por zbatimi i plotë i saj është ndeshur me shumë sfida gjatë këtyre viteve. Shqiptarët janë ende shumë të pakënaqur nga pala maqedonase në shumë aspekte. Përfaqësimi i pakët i tyre në administratën shtetërore, mos respektimi i ligjit për gjuhën dhe flamurin, janë disa nga pikat ku marrëveshja ka çaluar. Edhe pse partia shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim, që është në aleancë me qeverinë, shprehet se vitet e fundit është arritur shumë për përmirësimin e pozitës së shqiptarëve, PDSH-ja në opozitë shprehet shumë kritike. Sipas kësaj force politike, marrëveshja nuk është përmbushur dhe ka skaduar, pasi në 12 vjet është dështuar në zbatimin e plotë të saj. Megjithatë, komuniteti ndërkombëtar vazhdon t'i japë një mbështetje të forte kësaj marrëveshjeje, si thelbësore për stabilitetin e vendit.