Si fitohet shtetësia shqiptare - Vizion Plus - News, Lajme

2015-11-23 4

Nga sot, çdokush që kërkon të fitojë nënshtetësinë shqiptare mund të aplikojë pranë konsullatave, ambasadave, komisariateve të policisë apo Ministrisë së Brendshme. Me botimin në fletoren zyrtare, sot kanë hyrë në fuqi VKM si dhe udhëzimi i Ministrit të Brendshëm e atij të Jashtëm. Vizion Plus ka siguruar ekskluzivisht të gjithë dokumentacionin. Ky është formulari tip që duhet plotësuar, nga vetë personi ose nga prindi për fëmijët. Ka 2 rrugë apo procedura për të përfituar shtetësinë shqiptare: njëra përmes ministrisë së Brendshme dhe tjetra përmes Dekretit të Presidentit. Në vendimin e Këshillit të Ministrave, që mban datën 3 korrik 2013, caktohen individët që kanë mundësi të fitojnë shtetësinë. Rruga e parë është njohja e shtetësisë dhe bëhet përmes ministrisë së Brendshme. Së pari plotësohet formulari A. Aty përfshihen personat e lindur nga një prind me origjinë shqiptare, pavarësisht nga vendi i lindjes, që janë kryesisht shqiptarë të diasporës. Por ata duhet të provojnë ndërkohë lidhjen e drejtë familjare me të afërmin e tyre shqiptar. Shtetësinë përmes njohjes e fitojnë edhe ata persona me origjinë shqiptare, që kanë një shtetësi të një vendi anëtar të BE apo SHBA ku lëvizet pa viza. E drejta për të aplikuar për shtetësi u lind kështu shqiptarëve të Maqedonisë, por përjashtohen shqiptarët e Kosovës që janë në proces liberalizimi vizash me BE. Një grupim tjetër, janë personat me origjinë shqiptare që nuk kanë shtetësi aktualisht, pasi mund ta kenë humbur në kërkim të një shtetësie tjetër. Praktika të tilla ka mijëra. Miratimi i shtetësisë për këta persona, bëhet nga ministri i Brendshëm dhe regjistrimi bëhet menjëherë në Gjendjen Civile. Rruga e dytë, është dhënia e shtetësisë. Ajo kalon përmes Presidentit. Aplikantët mund të fitojnë shtetësinë pasi kanë mbushur 18 vjeç dhe provohet se nuk cenojnë sigurinë. Por edhe provojnë lidhjen e gjakut deri në shkallën e tretë, me një person me shtetësi shqiptare. Në mungesë të certifikatave, atyre mund tu vijë në ndihmë çdo dokument zyrtar i kohës. Procedura deri në zyrën e Kryetarit të Shtetit nuk zgjat më shumë se 45 ditë, dhe parashikon shqyrtimin formal nga përfaqësia diplomatike dhe nga strukturat vartëse të Ministrisë së Brendshme.

Free Traffic Exchange