Viti 2012-të solli një rënie të produktivitetit të punës për sektorin privat, ku për herë të parë pas gjashtë vitesh paga për privatin u ulen me afro 10%. Sipas raportit vjetor të publikuar nga Banka Qendrore, rritja e pagës në sektorin shtetëror mesatarisht me 5.4% ka dhënë një efekt krejt të kundërt në rrogat që japin bizneset. Lidhja e vetme që bëjnë ekspertët financiarë me politikat për rritjen e pagave nga ana e qeverisë dhe uljes së tyre për sipërmarrjen private nga ana tjetër, është zbehja e potencialeve të rritjes ekonomike. Kështu, nëse ndërmarrjet private kanë fituar më pak, kanë patur vonesa për likuidimin e faturave, ata janë detyruar të shkurtojnë edhe shpenzimet. Por ajo çka vihet re nëse krahasohet me rritjen vjetore të pagës që prej vitit 2008-të është se ky ritmi i rritjes së ka ardhur gjithnjë e më tepër në rënie, çka ka sjellë dhe një politikë fiskale jo shumë efektive, siç është ajo e taksës së sheshtë. Sipas Bankës së Shqipërisë efektet e krizës ekonomike tre vitet e fundit kanë paraqitur një kërkesë të dobët për punë nga ana e bizneseve e cila është reflektuar edhe në rritjen e ulët të punësimit, dhe mos rënien e normës së papunësisë.