OSBE / ODIHR: U shënua pak progres - Vizion Plus - News, Lajme

2015-11-23 0

Në raportin paraprak për zgjedhjet e 23 qershorit, delegacioni vëzhgues ndërkombëtar i OSBE / ODIHR konstaton se në krahasim me votimet e përgjithshme të vitit 2009 dhe ato lokale 2011, është shënuar pak progres. Përfaqësuesit e këtij delegacioni e publikuan raportin gjatë pasdites, në një konferencë për mediat. Sipas tyre, zgjedhjet ishin aktive dhe konkuruese, por mungesa e besimit midis forcave politike, e njollosi atmosferën. Në raportin paraprak, nënvizohet se procesi ka patur parregullsi teknike, ndërsa KQZ ka punuar pa kuorumin e nevojshëm, si pasojë e mungesës së tre anëtarëve. Prania e shumë vëzhguesve, vijohet më tej në dokument, e ka rritur transparencën, ndonëse disa vëzhgues partiakë kanë ndërhyrë në proces. Megjithatë, sipas OSBE/ODIHR, vlerësimi përfundimtar do të varet nga mënyra se si do të vijojë procesi, duke përfshirë numërimin, publikimin e rezultateve zyrtare dhe ankesat e palëve. "Në krahasim me zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 dhe ato lokale të 2011-ës shoh pak progres. Zgjedhjet ishin te lira dhe per mendimin tim, te drejta. Problemet dhe mangësitë janë shprehur ne deklaratën tone për shtyp. Rekomandimet do te vijojnë me vone, dhe me pas është ne dore te autoriteteve shqiptare për te pare se çfarë mund te behet per përmirësime." Duke komentuar ngjarjen e Laçit, përfaqësuesi i Posaçëm i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Roberto Bateli u shpreh se ajo e njollos procesin, por megjithatë mbetet vetëm një incident i izoluar. "Vrasja e Laçit dhe incidente të tjera, e njollosën procesin zgjedhor. Vrasja ishte nje incident tragjik i izoluar dhe qe duhet hetuar. Ajo ishte një ngjarje e trishte, por ndonjëherë gjera te tilla ndodhin. Rruga e Shqipërisë është drejt integrimit ne Bashkimin Europian. Eshte bere goxha pune, por ajo duhet të vijojë për përafrimin e legjislacionit vendas me atë Europian." Megjithatë, përfaqësuesit e misionit të OSBE / ODIHR, sollën në vëmendje se raporti përfundimtar për procesin zgjedhor në Shqipëri do të dalë pas dy muajsh. Sipas tyre, në këtë raport do të adresohen të gjitha problematikat që do të vërehen gjatë gjithë procesit, si dhe do të jepen rekomandimet për përmirësimet përkatëse.