Mediat më të rëndësishme ndërkombëtare pasqyrojnë gjerësisht procesin zgjedhor në Shqipëri. Artikulli më i drejtpërdrejtë për votimet vjen nga e përditshmja prestigjioze amerikane "The Financial Times", sipas të cilës, koalicioni i drejtuar nga Rama është drejt ardhjes në pushtet. "The Financial Times" u referohet exit-polleve vendase kur thotë se zgjedhjet e së dielës i dhanë fitoren koalicionit të qendrës së majtë të drejtuar nga Rama. Sipas gazetës, mbajtja e një procesi të plotë të ndershëm, do të rriste mundësitë e Shqipërisë për integrimin. Zgjedhjet kanë qenë edhe në fokus të agjencive e portaleve të tjera të njohura. Portali "Huffington Post" vë në dukje incidentin e rëndë në Laç, ku u vra një simpatizant partiak dhe u plagos një kandidat për deputet dhe një tjetër person. Sipas "Huffington Post", që i referohet raportimit të "Associated Press", Partia Socialiste pretendon se ka fituar, megjithatë mbetet çdo gjë për t'u parë. Portali nënvizon se rezultati i zgjedhjeve, sipas Kodit Zgjedhor, duhet të dalë brenda tre ditësh, edhe pse priten vonesa të mëdha. Edhe televizioni arab "Al Jazeera" i kushton rëndësi faktit që ditën e zgjedhjeve, në një qendër votimi, u vra një person dhe u plagosën dy të tjerë. Sipas "Al Jazeera"-s, dy palët, si PD ashtu dhe PS, pretendojnë se kanë fituar. Të njëjtën gjë thekson edhe televizioni francez "France 24". Procesi zgjedhor në Shqipëri është pasqyruar edhe në media të tjera, si "BBC" apo "Euronews", "Dojçe Vele", "Evropa e Lirë" dhe "Zëri i Amerikës". Nga mediat italiane, shkrimi më interesant është ai i gazetës "La Repubblica", sipas të cilës, lideri i PS-së Edi Rama, më në fund hakmerret, duke korrur fitore në zgjedhjet e fundit. Pasqyrime ka patur gjerësisht edhe nga agjencia italiane e lajmeve, "Ansa", nga "Corriere Della Sera", "TGCOM" apo "La Stampa".