Rama e Berisha në "facebook" - Vizion Plus - News, Lajme

2015-11-23 0

Rrjetet sociale, një prej armëve të reja dhe më të përdorura në fushatën e këtyre zgjedhjeve nga politikanët shqiptarë, duket se nuk është preferuar shumë nga këta të fundit për reagimet post procesit të votimit. Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, ka qenë i vetmi që e ka update-uar së tepërmi profilin e tij në "Facebook", me postime në mur, me komente dhe foto. Një album fotografish, që tregon punën në zyrë të selisë rozë të një stafi djemsh e vajzash, që punojnë në bashkëpunim me të dërguarit e PS-së në terren për publikimin e shifrave që nxjerr vetë kjo parti, është postimi i fundit i Ramës, para rreth tetë orësh. Më herët, kryesocialisti publikoi një foto të modifikuar në ngjyrë vjollcë të Hënës, që sipas tij, është "Hëna e plotë në natën e parë të Rilindjes". As artikulli i "The Financial Times", që thotë se "koalicioni i majtë i drejtuar nga Rama fiton zgjedhjet", nuk ka mbetur pa u shfrytëzuar nga kreu i PS-së, që e ka shpërndarë në murin e tij në "Facebook". Në postimet e vazhdueshme të Ramës të një nate më parë, nuk mungojnë as fotot me diçitura ironike ndaj kundërshtarëve politikë, si ajo ndaj zonjës Bregu, apo një foto me këngëtaren Elsa Lila, që sipas zotit Rama, erdhi enkas nga Italia, për të votuar Rilindjen.

Një panoramë krejt tjetër shfaqet nga kampi tjetër. Kryeministri Berisha, i cili gjatë kohëve të fundit, sidomos gjatë fushatës, ishte ndoshta politikani më aktiv në "Facebook", ka qenë shumë i mefshtë, këto orët e fundit. Postimi i fundit i zotit Berisha, është ai i 19 orëve më parë, kur ende nuk ishin mbyllur kutitë e votimit. Ndonëse ende nuk ishte projektuar asgjë sa i përket rezultateve, kryeministri shpalli fitoren në "Facebook": "Fitoreeeeeeeee! Nr. 44 ju pret te gjithëve! Nr. 44 pret çdo vote! Përpara drejt fitores!", shkruan Berisha në murin e tij. Ndërsa komenti i mëparshëm ishte tre orë më herët, në të cilin ai i ftonte shqiptarët që të votojnë masivisht për fitoren e tyre dhe të Shqipërisë. Edhe më pak aktive në "Facebook" është edhe zonja Jozefina Topalli, por postimi i saj i fundit, është më i vonë se ai i kryeministrit Berisha. Në një kohë, kur kutitë kishin pak orë që ishin mbyllur, Topalli shkruan se sipas të dhënave paraprake të PD-së, shumica e shqiptarëve kanë votuar qeverinë Berisha për një mandat të tretë. Ndërsa kreu i LSI-së Ilir Meta, është më pak aktivi në rrjetet sociale. Në faqen e tij në "Facebook", zoti Meta, ka një fotografi me një simpatizante të partisë së tij, e postuar nga kjo e fundit që të premten, pas një takimi elektoral.