Eshton: Takimi Thaçi-Daçiç me përparim konkret - Vizion Plus - News - Lajme

2015-11-23 0

Kosova dhe Serbia arrijnë marrëveshje të pjesshme për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit. Pas një darke pune që zgjati deri në orët e para të së premtes, dy kryeministrat Thaçi e Daçiç ranë dakord për zgjidhjen e disa çështjeve në fushën e drejtësisë, policisë dhe rreth zhvillimit të zgjedhjeve lokale në Kosovë, në vjeshtë të këtij viti. Pjesëmarrëse në këtë darkë pune ishte edhe ndërmjetësuesja e dialogut Prishtinë-Beograd, baronesha Ketrin Eshton. Pas takimit, ajo tha se në këto negociata pati progres konkret drejt normalizimit të raporteve. "Është bërë punë e mirë dhe është arritur progres konkret. Kryeministrat sot shkuan më tej dhe ranë dakord për një sërë çështjesh të hapura, në veçanti në fushën e drejtësisë, policisë dhe zgjedhjeve të ardhshme komunale." "Kemi vazhduar diskutimet edhe sa i përket policisë, mundësisë së emërimit sa më parë të komandantit rajonal në Mitrovicë, që duhet të punojë sipas ligjit dhe standardeve kosovare. Kemi shënuar progres edhe në ligjin për amnisti, megjithëse të dy ministrat e drejtësisë janë duke vazhduar diskutimet edhe me ekipet e tyre profesionale. Mund të them se ka qenë një takim i vullnetit të mirë, të ecjes përpara, dhe i implementimit të marrëveshjes së 19 prillit." Delegacioni serb nuk është prononcuar pas takimit. Bisedimet në nivel kryeministrash do të vazhdojnë më 8 korrik, ndërsa grupet e punës për çështjet e energjitikës dhe telekomit do të vijojnë dialogun. Deri më tani, ekipet teknike nuk kanë gjetur një gjuhë të përbashkët sa u përket këtyre pikave.