Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi mbrëmë raportin vjetor për trafikimin e qenieve njerëzore, në të cilin kritikon fort vendin tonë. Në dokument, për Shqipërinë, thuhet se është burim trafiku për burra, gra dhe fëmijë, të cilët shfrytëzohen për qëllime seksuale dhe për punë të detyruar, brenda vendit, si dhe shtete të tjera. Në tekst nënvizohet edhe pamjaftueshmëria e punës së qeverisë për luftimin e fenomenit. "Qeveria e Shqipërisë nuk i përmbush plotësisht kushtet minimale për eliminimin e trafikimit; megjithatë, kjo qeveri po merr masa të konsiderueshme për ta bërë këtë. Pavarësisht këtyre përpjekjeve, qeveria nuk mundi të paraqiste prova për shtimin e përpjekjeve në shqyrtimin e trafikimit të qenieve njerëzore gjatë periudhës së mëparshme të mbuluar nga raporti; si rrjedhojë, Shqipëria vendoset në Listën e Vëzhgimit 'Grupi 2'." Në raportin e Departamentit të Shtetit theksohet se qeveria hoqi koordinatorin kombëtar kundër trafikimit, i cili ishte shumë efikas në bashkëpunimin me OJQ-të për të zhvilluar mekanizmin kombëtar të referimit e procedurat standarde të veprimit, dhe e la këtë pozicion bosh për pesë muaj. Aty, gjithashtu, jepen edhe rekomandimet për vendin tonë, ku kryesoret janë: "Të ulë shkallën e lartë të qarkullimit mes zyrtarëve të qeverisë, veçanërisht brenda forcave lokale të policisë, për të ruajtur kapacitetin e përftuar nga zyrtarë me trajnim të veçantë për shqyrtimin e trafikimit të qenieve njerëzore; të shpërndajë të ardhura për zyrën e koordinatorit kombëtar kundër trafikimit, në mënyrë që të ulë varësinë e tij ndaj donatorëve të huaj, dhe të shtojë përpjekjet për parandalim; të trajnojë rregullisht policë dhe zyrtarë në nivel lokal për procedurat standarde të veprimit, me qëllim rritjen e numrit të viktimave të identifikuara." Në këtë dokument, edhe për Kosovën, thuhet se është një vend burimi dhe destinacioni për gratë dhe fëmijët, viktima të trafikimit seksual dhe punës së detyruar. Gjithashtu, kritikohet qeveria se nuk përmbush standardet minimale për eliminimin e trafikimit. Raporti për trafikimin e qenieve njerëzore u prezantua nga sekretari amerikan i Shtetit, Xhon Kerri. Ky dokument shqyrton gjendjen në 188 shtete e territore, si dhe bën një vlerësim të punës së qeverive, në përpjekjet për të luftuar këtë fenomen.