PS, miting në Peqin-Librazhd - Vizion Plus - News - Lajme

2015-11-23 9

Partia Socialiste përmbylli fushatën elektorale në Librazhd dhe Peqin me tubime mbajtur në qendër të qyteteve, të cilat janë pjesë e qarkut të Elbasanit. Lideri i PS-së premtoi ulje të çmimeve për ushqimet, përgjysmim të tatim-fitimit, legalizim të ndërtimeve pa leje. Rama tha në Librazhd se slogani i demokratëve Përpara, të çon drejt rrënimit. Ndërsa në Peqin kryesocialisti Rama u shpreh se përmes mitingut të organizuar në Elbasan, pikërisht ditën kur kryeministri përuroi Tunelin që lidh këtë zonë me Tiranën, qytetarët dhanë mesazhin se nuk gënjehen me asfalt e tunele elektorale. "Sot unë jam gdhirë me mbresën e jashtëzakonshme të mitingut madhështor që Elbasani zhvilloi dje duke i çuar një mesazh kumbues katragjyshit. Nuk gënjehet më ky populli as me asfalt elektoral, as me tunele elektorale sepse ky popull është në prag të vendimit për të dalë nga tuneli i papunësisë, nga tuneli i varfërisë, nga tuneli i analfabetizmit, nga tuneli i ndotjes dhe i braktisjes, nga tuneli i korrupsionit dhe i krimit , nga tuneli i mungesës së shpresës ku Saliu e tërhoqi zvarrë, ku pas 8 vjetësh shqiptarët do të dalin me kokën lart për të ndërtuar rrugën e rilindjes". Rama përzgjodhi si element dallues mes alternativave që garojnë në 23 qershor, sjelljen e mazhorancës ndaj një familje që iu dogj shtëpia dhe e kishin lënë në çadër, ndërsa kandidati i majtë Peza iu rindërtoi tërësisht banesën.

Free Traffic Exchange