"Kompozimi i Komisionit Qendror zgjedhor me katër anëtare rrezikon rezultatin e zgjedhjeve parlamentare te 23 qershorit". Kështu është shprehur kreu i delegacionit te asamblesë parlamentare te Këshillit te Evropes Luka Volonte gjate një interviste për Deutche Welle. Volonte tha se me përbërjen aktuale prej katër anëtaresh, KQZ nuk mund te marre vendime qe kërkojnë shumice te cilësuar. "Rreziku ka lidhje me kredibilitetin e procesit zgjedhor, me besimin e publikut tek rezultati i zgjedhjeve. Vendimi i disa partive për të dhënë dorëheqjen nga KQZ është një rrezik real, objektiv për funksionimin e KQZ. Ndërkohë Kodi Elektoral, ligji zgjedhor ka dispozita që e lejojnë KQZ të marrë vendime edhe me 4 anëtarë, por jo vendime që kërkojnë një shumicë të cilësuar. Prandaj, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës i ka bërë një apel të fortë drejtuesve politikë të Shqipërisë, që ta zgjidhin krizën në KQZ, pasi ajo rrezikon kredibilitetin e rezultatit të zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit. Ne kemi bërë apel që të gjendet një zgjidhje për funksionimin e plotë të KQZ. Vendimin për t'i dhënë fund kësaj situate, kur nga 23 qershori kanë mbetur pak ditë, duhet ta marrin drejtuesit politikë dhe kjo duhet të bëhet në emër të së ardhmes së Shqipërisë, ky është apeli ynë, kjo është ftesa jonë". Zoti Volonte theksoi se është shume i rëndësishëm një proces i rregullt zgjedhor, ndërsa kërkoi nga palët qe te pranojnë rezultatin, pavarësisht cili do te jete fituesi i këtyre zgjedhjeve. "Në radhë të parë njerëzit duhet të votojnë, të votojnë lirisht për kë dëshirojnë, pa asnjë detyrim, pa asnjë presion, numërim i votave duhet të jetë transparent dhe realist, palët duhet të pranojnë rezultatin, kjo është çështje kyç. Po kështu shumë e rëndësishme është jeta parlamentare. Një nga standardet e Këshillit të Europës është jo transparenca në procesin e numërimit të votave, por edhe përmirësimi i kuptimit të demokracisë për qytetarët nga njëra anë, dhe nga tjetra duhet, që drejtuesit politikë të binden që instituvioni për të vendosur së bashku për ecurinë dhe zhvillimin demokratik të vendit është Parlamenti". Në 9 dhe 10 qershor delegacioni i asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës kryesuar nga Volonte vizituan Shqipërinë. Pas takimeve në një interviste për Vizion Plus, kreu i delegacionit tha se Shqipëria duhet te garantoje zgjedhje te lira, te zgjidhe çështjen me KQZ dhe te garantoje liri të plote për votuesit e saj. Ai tha me tej se pret nga liderët politike që te bashkëpunojnë ne mënyre që blerja e votës apo dhe problem te tjera parazgjedhore te zgjidhen pas 23 qershorit.