Ambasadori i Gjermanisë në Beograd, Hainx Vilhelm rithekson kushtin që Berlini zyrtar ka për Serbinë, në mënyrë që të marrë datën e nisjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian. Ashtu si ministri i Jashtëm Guido Vestervele, diplomati gjerman deklaron se zbatimi në terren i marrëveshjes me Kosovën, është prova që duhet të kalojë Beogradi për ecjen përpara drejt integrimit në Europë. Në një intervistë për mediat serbe, Vilhem tha se veç kësaj, nuk do të ketë asnjë kusht tjetër. "Nuk do të ketë asnjë kusht të ri, që mund të dalë në momentin e fundit. Ashtu siç e kemi përsëritur disa herë, njohja e pavarësisë së Kosovës, nuk është kusht për Serbinë. Duhet të bëhen hapat e parë konkretë në zbatimin e marrëveshjes, në mënyrë që qeveria dhe Parlamenti i Gjermanisë të bien dakord për të ratifikuar datën e negociatave për Serbinë." Gjermania është një prej vendeve të unionit, që e ka kushtëzuar integrimin e Serbisë në BE, me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Serbia dhe Kosova, sipas paktit të arritur mes dy kryeministrave javën e kaluar në Bruksel, kanë afat gjashtë mujor për zbatimin e marrëveshjes së 19 prillit. Ndërkohë, ekipet teknike të dy vendeve do të takohen sërish në Bruksel, më 30 dhe 31 maj, për të diskutuar mbi çështjet e telekomunikacionit dhe energjitikës.