Amnisty International: "21 janari" s'gjeti drejtësi - Vizion Plus - News - Lajme

2015-11-23 3

Organizata "Amnisty International" fshikullon Shqipërinë sa i përket çështjes së 21 janarit, dhunës në familje dhe të drejtave të njeriut. Në raportin vjetor për të drejtat e njeriut nëpër botë përgjatë vitit 2012, theksohet se gjyqi për 21 janarin nuk ka dhënë drejtësinë e duhur. Për "Amnisty International", kjo çështje nuk është mbyllur, megjithëse gjyqi përfundoi vitin e kaluar. "Ne si organizatë akoma vazhdojmë të mendojmë se ky nuk duhet të jetë fundi i një incidenti të tillë. U vranë katër persona dhe nuk besojmë se gjyqi i majit jep drejtësinë e duhur", -shprehet për "Zërin e Amerikës", Jezerca Tigani, zëvendës drejtore e Programit për Europën dhe Azinë Qendrore në organizatë. Mes të tjerash, "Amnisty International" shpreh shqetësimin për dhunën në familje dhe diskriminimin e disa grupeve në Shqipëri. "Vazhdojnë të raportohen shumë incidente të dhunës në familje. Gjatë vitit të kaluar janë raportuar dy mijë e 526 incidente të dhunës në familje, 345 më tepër sesa vitin e mëparshëm. Kjo do të thotë se dhuna në familje vazhdon të jetë një problematikë në Shqipëri", -thekson Tigani. Shqetësim tjetër i madh, sipas raportit, është edhe diskriminimi i vazhdueshëm ndaj komunitetit rom dhe atij gay. Gjithashtu, në dokument, ngrihet shqetësimi për mungesën e kujdesit për të rinjtë jetimë që duan të strehohen dhe nuk kanë mundësi. Një çështje tjetër janë torturat dhe keqtrajtimet në burgje dhe rajonet e policisë.

Free Traffic Exchange