Qendra "Iniciativa Europiane e Stabilitetit" me bazë në kryeqytetin gjerman Berlin, i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar, që të përcaktojë qartësisht vijat e kuqe sa i përket standardeve zgjedhore në Shqipëri, në mënyrë që raportet e tyre të mos keqinterpretohen nga politika shqiptare. Në një raport për Shqipërinë, ky institucion shprehet se vlerësimi i zgjedhjeve në Shqipëri është i vështirë dhe përcaktimet duhet të jenë shumë strikte, në mënyrë që të mos merren me kuptime të dyfishta, çka mund të çojnë në pasoja fatale për vendin, siç janë protestat masive, të ngjashme me ato në Ukrainë në vitin 2004. "Mesazhi kyç i të gjithë vëzhguesve ndërkombëtarë, veçanërisht i Bashkimit Europian, duhet të jetë që institucionet shqiptare të respektojnë në mënyrë rigoroze ligjin e miratuar nga vetë ata. Janë disa vija të kuqe që nuk duhen kapërcyer. Shqiptimi i këtyre vijave të kuqe paraprakisht, në mënyrë që të mos shkelen standardet:
1 - Anëtarët e organeve të Administrimit Zgjedhor nuk mund të hiqen për arsye të paspecifikuara në Kodin Zgjedhor.
2 - Numërimi dhe gjykimi i ankesave dhe apeleve duhet kryer sipas procedurave strikte të Kodit Zgjedhor." Në raport nënvizohet edhe kërkesa e përfaqësueses së lartë për politike të Jashtme në Bashkimin Europian, Ketrin Eshton gjate vizitës ne Tirane, për zgjedhje sipas standardeve. Megjithatë, në dokument theksohet se BE duhet të thotë saktësisht se cilat janë këto standard dhe t'i inkurajojë liderët që të zbatojnë rregullat e lojës.