Dule në koalicion me PS-në - Vizion Plus - News - Lajme

2015-11-23 0

Partia Socialiste bën zyrtarisht, pjese te koalicionit opozitar, edhe Partinë Bashkimi për të drejtat e Njeriut, një subjekt që përfaqëson prej gati 2 dekadash kryesisht minoritetin grek në Shqipëri.
Marrëveshja është firmosur nga liderët e 2 partive, zoti Rama dhe zoti Dule, në selinë e PS-së. Në daljen për mediat, kreu i opozitës bëri publik edhe emrin e koalicionit me të cilin do të garojë në zgjedhjet e 23 qershorit, Aleanca për Shqipërinë europiane. "s'ka nevoje per shume fjale, per afrimitetin dhe vizionin mes PS dhe PBDNJ. Kemi dakordesuar te hyjmë se bashku, Aleanca për Shqipërinë Europiane..." Për kreun e PBDNJ-së, i cili në 4 vitet e fundit ishte pjesë e opozitës me qëndrimet brenda dhe jashtë parlamentit, megjithëse pa një marrëveshje zyrtare me PS-në, gjithçka është në funksion të një rotacioni jo vetëm pushteti. "Bashkëpunimi po nuk ka filluar tani, por prej vitesh, njohim njeri- tjetrin. Dimë edhe veshtiresite mes nesh, është momenti me kulmor, te realizohet rotacioni." Në orët e fundit të mbetura deri në afatin e regjistrimit në KQZ të koalicioneve, mësohet se Partia Socialiste është duke negociuar për të ofruar edhe Aleancën Kuq e Zi. Fjalia e vetme e zotit Rama, dëshmon se përpjekjet nuk janë ndalur. E negociuar dhe pranë arritjes së kompromisit, por ende pa firmë është edhe koalicioni me PSD e Gjinushit dhe PDS e Paskal Milos. Rreth orës 15:00, PS pritet të firmos në Shkodër aleancën me LSI-në e Ilir Metës.