Maqedoni, BDI dhe PDSH vijojnë fushatën - Vizion Plus - News - Lajme

2015-11-23 1

Nga komuna e Likovës, ku mbajti takimin elektoral të radhës, kreu i partisë shqiptare të Maqedonisë, BDI, Ali Ahmeti, premtoi se kjo zonë do të mbetet prioritet i forcës politike që ai drejton.
Ai theksoi se Bashkimi Demokratik për Integrim i ka nisur nga pika zero investimet në këtë komunë dhe se gjatë katër viteve të ardhshme, kandidati i tyre do të vijojë projektet e zhvillimit. "S'ka se të mos jemi krenar ne si shqiptarë, për të arriturat tona të deritanishme. Ne i kemi përcjellë angazhimet e kryetarit të komunës dhe jemi përpjekur që ta ndihmojmë në të gjitha projektet. E theksuam se në këtë vend filluam nga zero dhe ato vepra që bëhen janë të pakta, si ujësjellësi i nisur, infrastruktura, shkollat, rruga, hapja e kufijve, por moti i mirë duket në mëngjes. Ditë e mirë duket që në agim, kanë filluar këto projekte për së mbari në komunën e Likovës. Dëshirojmë që Duraku të vazhdojë këto projekte dhe t'i realizojë gjatë katër viteve të ardhshme. Ne me gjithë forcën tonë sa kemi do ti qëndrojmë pas. Do të doja tju dëshiroj punë të mbarë gjithë atyre këshilltarëve që do të zgjidhen dhe sukses e punë të mbarë gjithë familjeve të Likovës dhe kreut të kësaj komune." Ndërsa kryetari aktual i komunës së Likovës, Sadulla Duraku, i cili garon për një tjetër mandate, tha se prej vitesh nuk ishin bërë investime në zonë, por me BDI, nisi ndryshimi. "Ne përkundër problemeve financiare kur morëm komunën, megjithatë realizuam projekte. Likova nuk kishte asnjë institucion dhe ne arritëm të themelojmë stacionin e shëndetësisë, arritëm që shkollën e mesme ta pavarësojmë dhe ta pagëzojmë me emrin e heroit tonë kombëtar 'Ismet Jashari -- komandant Kumanova'. Ndërkaq, në tubimet në zonat e Ladorishtës, Veleshtës dhe Dollogozhdës, kreu i Partisë Demokratike Shqiptare të Maqedonisë, Menduh Thaçi, kërkoi vota për kandidatin e kësaj force për komunën e Strukës, Ziadin Selën. Thaçi kërkoi mbështetjen edhe të BDI-së, ashtu siç po bëjnë ata në Kërçovë.