Arvizu partive: Ktheni besimin tek zgjedhjet - Vizion Plus - News - Lajme

2015-11-22 0

Ambasadori amerikane ne Tirane Alexander Arvizu u ka dërguar nje mesazh publik forcave politike ne Shqipëri, duke apeluar per nje proces te rregullt elektoral ne 23 qershor. Kryediplomati theksoi se legjitimiteti i qeverise qe do te dale nga këto zgjedhje, do te varet nga mënyra se si do të sillen partitë gjatë muajve vijues. Zoti Arvizu shton se mesazhet që kërcënojnë ose nxisin dhunë do të gërryejnë besimin se kandidatët dhe partitë janë të gatshëm të punojnë së bashku. "Shqiptarët janë të shqetësuar për probleme reale -- punësimin, të ushqyerit e familjeve të tyre, kujdesin shëndetësor, arsimin, degradimin e mjedisit dhe krimin, sa për të përmendur pak prej tyre. Shumë vetë më janë ankuar që udhëheqja politike (dhe këtu më lejoni të jem i qartë që njerëzit flasin si për koalicionin qeverisës ashtu edhe për opozitën) duket e fokusuar vetëm në interesat vetjake ose partiake, se sa në zgjidhjen e këtyre problemeve të përhapura gjerësisht." Demokracia nuk është një bunker betoni që izolon udhëheqjen politike prej popullit, shkruan ambasadori ne mesazhin, qe e ka titulluar "Një përgjigje shumë e thjeshtë". Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje qeverisë dhe të gjitha partive politike që të fokusohen në forcimin e besimit të publikut në procesin zgjedhor dhe të besimit tek udhëheqësit e tyre, nënvizon Arvizu. "Më lejoni të përmend një të vërtetë të thjeshtë e të dhimbshme: besimi publik në procesin zgjedhor është i ulët. Për rrjedhojë, edhe yni është i ulët. Në një demokraci të fortë, qeveria dhe partitë politike kanë përgjegjësinë -- quajeni detyrim -- të fitojnë besimin e njerëzve. Ata mund ta bëjnë këtë duke bashkëpunuar brenda institucioneve zgjedhore, duke shmangur në mënyrë të vetëdijshme dredhitë politike dhe duke hequr dorë prej një gjuhe shkatërruese dhe provokuese në takimet publike ose në literaturën partiake." Me tej, diplomati amerikan nuk ndan pergjegjesite ne organizimin e një procesi korrekt zgjedhor. Sipas ambasadorit, qeveria ka detyrimin solemn të veprojë në mënyrë llogaridhënëse, transparente dhe të paanshme. Për më tepër, qeveria duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe jopartiake në marrjen e vendimeve institucionale. Nga ana tjetër, shkruan Arvizu, opozita duhet të përkushtohet të marrë pjesë në mënyrë konstruktive në proces, dhe të shmangë kërcënimet për bllokim ose bojkot. Ndërsa 23 qershori po afrohet, iu bëj thirrje shqiptarëve që të nisin një kapitull të ri me këto zgjedhje, të lënë mënjanë interesat vetjake dhe partiake, të këmbëngulin për llogaridhënien e klasës politike, përfundon mesazhi i përfaqësuesit te Uashingtonit ne Shqipëri.