Odiseja e Këshillit te Qarkut - Vizion Plus - News - Lajme

2015-11-22 0

Qarku i Fierit ka 2 kryetarë në detyrë, nga një për secilin kamp politik, Vangjel Ndrekon dhe Artur Shehun, por faktikisht është jashtë funksionit. Odiseja e proceseve gjyqësore ka nisur në fund të shtatorit 2011. Por edhe pasi janë dhënë 7 vendime të Gjykatës së Shkallës së parë në Fier, 6 të formës së prerë të Gjykatës së Apelit në Vlorë, 2 të Gjykatës së Lartë, madje edhe 2 të Gjykatës Kushtetuese, sërish çështja për koalicionin Aleanca për Qytetarin nuk konsiderohet e zgjidhur. "Vizion Plus" ka siguruar gjithë vendimet gjyqësore re kësaj odiseje ligjore. Pas zgjedhjeve të 8 majit 2011, koalicioni opozitar, siguroi 56 këshilltarë, ndërsa Aleanca për Qytetarin 40 këshilltarë. Këshilli i Qarkut Fier u konstituua në mbledhjen e parë në 21 shtatorin e kaluar. Me vendimin Nr. 2 u vërtetuan mandatet e 96 anëtareve dhe me vendimin Nr, 3 u zgjodh Vangjel Ndreka kryetar. Prefekti i Qarkut, Bujar Hasa, 8 ditë më vonë ankimoi në Gjykatën e Fierit zgjedhjen e kreut të qarkut, trupë e cila pezulloi kryesinë e sapozgjedhur. Por në 17 nëntor 2011, Gjykata e Apelit të Vlorës e hodhi poshtë pezullimin dhe i hapi rrugë funksionimit normal të qarkut. Shumica ndryshoi strategji dhe vendosi të zëvendësoje mandatet e 14 këshilltarëve të majtë, së pari në 8 njësi vendore, duke tentuar ta ktheje balancën e numrave në qark në favor të saj. Duke patur objekt të përbashkët, trupat gjyqësore në vendime të ndryshme vendosën qartë se mandati i këshilltarit është 4-vjeçar dhe nuk mund të hiqet apo ndryshohet nga këshillat komunale apo bashkiake, por organi kompetent për heqjen e mandatit është vetëm Këshilli i Qarkut. Aktualisht, për 11 anëtarë janë shpallur të pavlefshëm vendimet e këshillave të njësive vendore për zëvendësimin e tyre, për 3 anëtare çështjet janë në proces, ndërsa 2 te tjerë nuk kanë ankimuar zëvendësimet. Në debatin ligjor u përfshi me 2 çështje edhe Gjykata e Lartë. Me 2 vendimet e saj, që mbajnë datën 12 dhe 13 korrik 2012, ajo la në fuqi vendimet e Apelit të Vlorës, që u jepnin të drejtë këshilltarëve të majtë. Ajo çka e bën edhe më të pakuptueshme vendosmërinë e shumicës, për të zbatuar gjyqësorin, janë 2 vendimet e Gjykata Kushtetuese Nr. 37 dhe Nr. 39, në 26 mars 2012, ku thuhet se: "Gjykata çmon se mosmarrëveshja për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Qarkut është e natyrës ligjore dhe zgjidhja i përket sferës së juridiksionit të zakonshëm gjyqësor dhe jo atij kushtetues". Nga ky interpretim i Gjykatës Kushtetuese rezulton se kompetenca emëruese dhe shkarkuese në lidhje me anëtarin e Këshillit të Qarkut, është e vetë Këshillit të Qarkut.