Vrasja e kryekomisar Tahirajt - Vizion Plus - News - Lajme

2015-11-22 1

Ekzekutim i kryekomisarit te Shijakut, Adem Tahiraj, i konsideruar si goditje tronditëse ndaj policisë, shkaktoi reagime të menjëhershme. Brenda pak orësh policia doli me emrat e autorëve. Sipas variantit zyrtar të dyshuarit janë dy persona, Ilir Xhakja dhe nipi i tij Ledio Krasniqi. Ajo që dihet për Ilir Xhaken është jo vetëm fakti që është një personazh i njohur për drejtësinë, me precedentë të rëndë penalë, por i lakuar shpesh edhe për lidhjet me politikanë të pushtetit të sotëm. Madje, kjo shton dhe dyshimet nëse ka qenë presioni policor apo ai i politikës, që solli dorëzimin e autorit te krimit në kohë rekord? Kjo mbetet vetëm një prej pikëpyetjeve të hetimit të kësaj ngjarjeje. Dyshimi i radhës është fakti që policia flet për 2 autorë, që ndërkohë udhëtonin me 2 makina. Rrjedhimisht vrasësi ka qenë njëkohësisht në timon, ndërsa ka qëlluar. Me këtë rrjedhë logjike duket e vështirë që armën në dorë ta ketë pasur vetë shoferi. Nuk mund të mos përmendet në vazhdën e rastësive të tilla fakti se ndërsa policia ishte në aksion, dy herë radhazi, u ndërpre energjia elektrike në këtë zonë. E falë errësirës sërish Ilir Xhakja, personazhi i njohur si i forti i Shijakut, arriti, të paktën për disa orë, t'i shpëtonte rrethimit. Xhakja ka zënë edhe më parë titujt kryesore të gazetave, pasi u dënua me 21 vjet burg për vrasje, por pas disa proceseve gjyqësore arriti të fitonte pafajësinë. Dhe suksese të tilla përballë drejtësisë autori i dyshuar i atentatit ndaj kryekomisar Tahirajt numëron shumë. Ai është arrestuar disa herë, i dyshuar gjithnjë për vrasje, por ia ka dalë mbanë që brenda pak kohësh të kthehet i lirë në shtëpinë e tij në Shijak. Përveç mënyrës si ka funksionuar drejtësia në rastin Xhakja, një tjetër pyetje që pret përgjigje është fakti: Çfarë fshihnin në makina autori dhe nipi i tij, që morën përsipër edhe të vrisnin një kryekomisar, për të mos lejuar kontrollin e automjetit?